Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e vlerësoi sot “shumë të rëndësishme” që Kombet e Bashkuara të diskutojnë me talebanët, në veçanti për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare në Afganistan, një ndihmë që duhet të shërbejë si një “levë” për të drejtat e njeriut.

“Është e pamundur të sigurosh ndihmë humanitare në Afganistan pa diskutuar me autoritetet de facto të vendit”, tha Guterres në një konferencë shtypi.

“Unë besoj se është shumë e rëndësishme të flasësh me talebanët në këtë kohë, për të gjitha aspektet që shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar, pavarësisht nëse është terrorizmi, të drejtat e njeriut, droga apo natyra e qeverisë”, shtoi ai.

Pothuajse një muaj pasi talebanët morën pushtetin, Guterres theksoi se OKB -ja ishte “shumë e vendosur për të ofruar ndihmë humanitare për popullin afgan”.