Endacakët politik të pushtetit!

Medai Shaholli


Pozita dhe opozita shqiptare në këto tri dekada të mbijetesës së republikës sonë të dashur ‘severna’, kanë qënë dhe mbeten pjesë makutërisë së etur për çorbën e kazanit të madh të kuzhinës qeveritare të Shkupit.

Me rastin e tragjedisë së madhe në spitalin modular të Tetovës që sëmboi zemrat e gjithë shqiptarëve, pozita dhe opozita shqiptare shprehën secila keqardhjen e madhe për jetët e humbura në këtë tragjedi.

Opozita me këtë rast kërkoi me të drejtë dorëheqjen e premierit Zajko dhe qeverisë së tij për shkak të rënies së zjarrit që shkaktoi një tragjedi të paparë në Tetovë, e cila mori jetët e dhjetëra të sëmurëve me Covid në spitalin e ngritur apostafat për të sëmurët me këtë lloj virusi.

Shtohet pyetja se a janë përgjegjës njëlloj si pozita dhe opozita, sigurisht që përgjegjësitë nuk janë njësoj dhe jo të brabarta?
Përgjegjësia është edhe kolektive por ama, përgjatë gjithë kohës që pozita ka qeverisur vendin pa u shqetsuar, opozita shqiptare edhe ajo sllavomaqedone kanë bërë gjumin e ‘rahatshëm të ariut’, duke lënë pozitën të livadhis lart e poshtë e ta dredhin zinxhirin sipas qejfit të tyre në qeverisjen e vendit.
Opozita ‘e vdekur’ e ka lënë të qetë për shumë kohë qeverinë të kapërdiset në zyrat e saj pa ndërmarrë asnjë protestë a demonstratë antiqeveritare për t’i denoncuar ‘bëmat dhe gjëmat’ e kësaj qeverie.

Përkundrazi, qeveritarët shqiptarë dhe jo vetëm në raste përvjetoresh të ngjarjeve të ndryshme lëvdohen dhe mburren për gjoja arritje të mëdha të shqiptarëve në këto dy dekada të ‘lirisë dhe barazisë’ në ‘drzhavën severna’, me ‘suksese dhe të arrira’ duke i konsideruar si pjesë e kontributit dhe meritës së tyre statusin inferior dhe denigrues të pakicës së papërfillshme të 20% dhe gjuhës sonë pa emër si dhuratë e përbashkët e endacakëve politik si të pozitës ashtu dhe të opzitës shqiptare të nënshkruar në ndryshimet e fundit kushtetuese.

Tri dekada pas shpalljes së pluralizmit politik apo të vendosjes së demokracisë në MV, shqiptarët e kësaj treve të Ilirisë së lashtë janë mashtruar pas filolozofisë dhe fjalamanisë boshe të klasës sonë politike duke i premtuar gjatë gjithë kësaj kohe barazi të plotë dhe status të barabartë me fqinjët sllavo-maqedon.

Asgjëkundi në Europë, në asnjë vënd tjetër, nuk gjen këtë lloj statusi të një kombi që përbën të paktën 1/3 e popullsisë të pranojë që gjuha e tij të quhet gjuhë e 20%!
Këtë përdhosje kanë pranuar papërjashtim për popullin tonë partitë politike shqiptare në pushtet dhe në opozitë.

Kjo është çmenduri shqiptare tashmë e ”zakonshme” për ne, ku partiçkat tona për hir të pushtetit dhe të karrierës apo vetëkënaqësisë e të qënurit në pushtet dhe në ”opozitë konstruktive”, kanë pranuar statusin inferior të shqiptarëve në ”dërzhavën” MV, si shenjë lojaliteti dhe besnikërie ndaj këtij pushteti që ndrydh dhe shkel vullnetin politik të shqiptarëve përmes ligjeve diskriminuese dhe kushtetutës së njëanëshme.

Dhe përsëri shqiptarët e kësaj treve vazhdojnë t’i votojnë poato parti që kanë dhënë prova të mashtrimit dhe zhgënjimit të madh me mosrealizimin e zotimeve të tyre të paktën që nga konflikti i 2001 e deri më sot.

Fundja, klasa politike sllavo-maqedonase ka gjetur ”shesh dhe bën përshesh” thotë një fjalë e urtë shqipe, ku ata me partiçkat tona politike shqiptare (që vetëm shqiptare nuk janë) po lozin ”vallen e vdekjes” për shqiptarët në këto tri dekada të vendosjes së demonkracisë përmes servilëve shqiptarë në pozitë dhe opozitë.

Meqë ra ky mort dhe u pamë në Tetovën tuaj dhe tonën të plandosur rëndë, ne të gjithë së bashku, i madh e i vogël, e pamë fytyrën e vërtetë të qeverisë Zajko, e cila si duket nuk po merr përgjegjësitë për dramën e madhe që shkaktoi ‘zjarri i qeverisë’.
Ajo nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë me menazhimin dhe zbatimin e rregulloreve për mbarëvajtjen e këtij lloj spitali, por akoma më keq, ajo nuk pranon fajin duke u arsyetuar se pa mbaruar hetimet nuk do të jap dorëheqje.

Kjo është qeveria e vulës së turpit dhe të korrupsionit, e krimit dhe e këllirës, e proceseve të montuara politike ndaj shqiptarëve, dhe e shumë padrejtësive të paktën përgjatë pesë viteve të bashkëqeverisjes me partiçka shqiptare në qeveritë e koalicionit.

Me këtë qeveri të papërgjegjshme ngjarje të rënda tragjike si kjo që ngjethi Tetovën mund të godas nesër mbi Strugën apo Dibrën për shkak të neglizhencës dhe moskokëçarjes papërgjegjsisë dhe paaftësisë së këtij pushteti, për të menaxhuar pandeminë në këtë kohë që mesa duket si për inat godet në pjesën shqiptare të ‘severnës’.