Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, teksa ka folur për takimet dy ditore që ka pasur në Bruksel me palën serbe dhe Emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se pala serbe është dakorduar që të hapen arkivat shtetërore.

“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha Bislimi.

E kjo deklaratë e Bislimit shkaktoi shumë reagime në opinionin publik në Kosovë e më gjerë.

Ndër ata që kanë reaguar për hapjen e arkivave është edhe Rexhep Qosja. Përmes një postimi në facebook, Qosja ka zgjedhur një fragment nga romani “Të fshehtat e treguara”, për të dhënë mendimin e tij lidhur me këtë çështje.

“Eh, arkivat! Sa të rëndësishëm e sa të rrezikshëm janë!

Arkivat janë magazinat e lavdive!

Arkivat janë bodrumet e prishësive!

Arkivat janë përcaktues të mendimeve të historisë!

Arkivat janë bibliotekat e historisë!

Arkivat janë enciklopeditë e historisë!

Arkivistët janë prokurorët e heshtur të historisë!

Arkivistët janë gjykatësit e heshtur të historisë!

Arkivistët janë dëshmorët e historisë!

Arkivistët janë heronjtë e historisë!

Qe, sa mirë, unë si përkthyes arkivist jam edhe dëshmor, edhe hero i historisë! Nuk jam ende, por duhet të bëhem edhe dëshmor, edhe hero i historisë!

Por, a mund të jenë arkivistët edhe mëkatarët e historisë, edhe komprometuesit e historisë?”, ka shkruar Rexhep Qosja.