Duke thithur duhanin e Malësisë (Fragment)

NGA MERXHAN JAKUPI
Në atë rradake që kishte, Çaushi ndau jetën në katër faza; dyzet vitet e jetës i
kishte kaluar në periudhën e asaj Perandorie që mbeti me shekuj, prej tyre,
gjysmën në katundin e tij. Si shtegtar, kishte jetuar larg tokave të vendlindjes, në
ato vise përtej Dardaneleve. Pastaj, pas kthimit, edhe njëzet vjet kishte jetuar në
kohën e Monarkisë së huaj dhe katër vjet në liri të plotë, kur, edhe në katundin e
tij, erdhi Mbretëria e Mëmëdheut dhe, në fund, më shumë se dy dekada në shtetin
që u shthur. Ky ishte bilanci i jetës së tij ndër dekada, ashtu si e mendoi dhe e
shtjelloi në kokën e vet.
Çaushit iu kujtua dita kur kishte zbritur në atë qytezë të rrafshit dhe kishte futur
kokën në atë Teqe bektashiane, ku ishte takuar me Baba Shehun. Në bisedë me të,
shehu e kishte pyetur atë se në cilën fazë të jetës kishte shijuar lumturinë dhe
lirinë. Çaushi i kishte thënë se më i lumtur në jetë ka qenë vetëm në një periudhë
shumë të shkurtër, në atë të kohës së Mbretërisë së Mëmëdheut, kur pushteti u
shtri edhe këndej bjeshkëve. Atij i paraqiteshin pareshtur të gjitha këto faza të
jetës që i kishte kaluar.
Pasi shkundi shpuzën e cigares në tokë dhe nxori tymin përnjëherë nga goja dhe
hundët, shtëllunga-shtëllunga, që shpërndahej në ajër, hodhi shikimin te krahët që
i ishin vyshkur, pastaj nxori nga xhepat e gunës tespihet që i kishte sjellë nga
Vendi i Bekuar, në atë vend ku mëkatarët i afrohen Zotit. Iu kujtua kthimi që andej
për në vendlindje, kur kishte mbushur torbën me tespihe, për t'u dhënë dhuratë
miqve e dashamirëve, kur do të vinin në vizitë tek ai. Por, tespihet e tij ishin të
veçanta, sepse i kishte marrë ato që ishin prej fildishi. Çaushi thithte cigaren me
kënaqësi, duke mbajtur gjithnjë mes dy gishtave të dorës së djathtë, të cilët kishin
marrë një zverdhim gjatë viteve.
Çaushit i thernin këmbët dhe gjunjët, kishin dhembje të padurueshme. Shpesh i
kalonin nëpër trup do të dridhura ethesh reumatike. Atij i kujtoheshin fjalët e
gjyshit, që, kur ishte si fëmijë, rrëfente i shtrirë në shtratin e vdekjes e thoshte:
"Foshnjat, rriten duke fjetur e pleqtë, vdesin duke fjetur!"
Tek ai, përkundrazi, gjumi s'i vinte në sy. Kishte hyrë në moshë të thyer, shpesh
kalonte netët pa gjumë ose me pak gjumë, duke kujtuar gjithë atë peshë të rëndë
të jetës, që e kishte kaluar dhe e kishte mbajtur mbi shpatulla. Mbështetur mbi një
shtrat provizor, që ishte shtruar me duaj të gjatë thekni, sytë i kishte drejtuar tek
degët e lëvarura të dardhës. Ai shikonte me një përqendrim të madh se si dy zogj
cicëronin; njëri dukej i qetë, ndërsa tjetri e ngacmonte me sqepin e gojës, sikur
donte t'i japë ndonjë mesazh jete.


Çaushi, duke qëndruar ashtu i stepur, iu drejtua dardhës me një belbëzim
melankolik: "Ah, lumë ti o dardhë, paç uratën dhe bekimin tim; lumë ti që do të
rrosh e do të mbërrish ta shohësh zogun. Unë, si një i shkretë, shijova për kohë
shumë të shkurtër begatitë e kësaj bote…Ah sikur të lindja edhe njëherë, të
vazhdoja ta shoh zonjën time dhe të vdisja, nuk do më dhimbej shpirti. Do të ikja
nga kjo botë i lumtur!".
Çaushi dëgjoi ezanin nga minarja, që vinte sikur të ishte shumë afër shtëpisë së tij.
Nxori orën nga xhepi, atë të cilën ia kishte sjellë i biri nga një shtet me fusha të
gjera dhe atë transistor, nga i cili, Çaushi, shpesh dëgjonte lajmet e pasdarkes.