Drejtori gjeneral Ramadani: Askush nuk e kishte parashikuar një rritje të tillë të çmimit të energjisë elektrike në bursat botërore

Disa ditë më parë, Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRE) njoftoi se ka filluar një procedurë për heqjen e licencës së furnizimit për dy kompani, furnizuese të energjisë elektrike në tregun maqedonas. Arsyeja e këtij sanksioni u paraqit si “sjellje e gabuar”. Gjegjësisht, furnizuesit dështuan gjatë sigurimit të sasisë së energjisë elektrike të paraparë sipas kontratave. Ata ishin të paralajmëruar disa herë radhazi që në kohë të sigurojnë të gjitha sasitë e nevojshme të energjisë elektrike për klientët e tyre, por ata dështuan në këtë aspekt, që më pas MEPSO t’i plotësoi nga rezervat që përdor në raste të jashtëzakonshme.

KRE deklaroi se disa kompani u përpoqën të shesin energji elektrike tek konsumatorët me një çmim më të lartë, në vend të asaj të rënë dakord, e cila është kundër rregullave. KRE potencoi se qindra kompani ishin ankuar për probleme me furnizuesit.

Për këtë çështje, Antoris kërkoi mendim nga Drejtori general i MEPSO-s (sistemi i vetëm i transmetimit të energjisë elektrike në vend) mr. Kushtrim Ramadani.

Çfarë ndodhi me furnizuesit për të cilët Komisioni Rregullator i Energjetikës filloi një procedurë për heqjen e licencave të furnizimit?
– Furnizuesit nuk janë edhe aq fajtorë në këtë situatë “të pazakontë” që solli epidemia në të gjithë botën. Është e vërtetë se çmimi i energjisë elektrike në bursat botërore po thyen rekorde. Askush, madje as furnizuesit, nuk prisnin që çmimi i energjisë elektrike në bursa të rritej aq shumë. Ata lidhën kontrata me konsumatorët (me konsumatorët më të vegjël në tregun e lirë) për një çmim prej 50-60 euro për megavat orë, ndërsa e blenë atë, për shembull për 45 euro. Papritmas çmimi i bursës rritet për tre here më shumë. Tani ata janë të detyruar nga tregtarët të blejnë me një çmim prej 150 euro, kurse ata duhet të shesin atë tek konsumatorët me çmimin e rënë dakord! Pra furnizuesit, dhe pa sanksione të KRE, për shkak të kushteve të reja të krijuara në treg, mund të themi se ato janë shkatërruar.

Komisioni Rregullator vepron sipas dispozitave ligjore, ashtu edhe duhet të reagojë, por arsyet e pakënaqësisë së nevojave të konsumatorëve nga furnizuesit janë objektive. Ka një rritje të madhe në çmimin e energjisë elektrike në të gjithë Evropën. Kjo situatë mund të krahasohet me krizën financiare të vitit 2008. Përsëri po potencoj se askush nuk mund ta kishte parashikuar këtë situatë. Askush nuk priste që pandemia të zgjaste kaq shumë dhe të bënte po kaq dëme kudo në botë.

Megjithatë, me atë masë të KRE, një etiketë negative është “mbërthyer” për furnizuesit e sanksionuar, e cila mund të mos jetë objektive?
– Po, të njëjtat kompani funksionojnë prej vitesh. Nuk duhet të keqkuptohet se dikush ka bërë diçka “me qëllim”, sepse askush i vetëdijshëm nuk do të punonte “në dëm të tij”.