DIPLOMACIA SERBE DHE VENDET ISLAMIKE – ribotim –

1. Konferenca Islamike u themelua në Rabat më 25 shtator 1969. Ajo sot ka 57
anëtarë. Prej vitit 1992, anëtare e saj është edhe Shqipëria. Më 25.05.2009 u mbajt në
Damask Sesioni i 33-të i ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës
Islamike. Diplomacia shqiptare paraqiti një rezolutë me të cilën kërkohej njohja e pavarësisë
së Kosovës. Këtë rezolutë, që në krye të herës, e mbështetën Turqia dhe Arabia Saudite. Në të
vërtetë, rezoluta e sipërthënë ishte projekt i këtyre tre vendeve. Amendamente për
modifikimin e saj paraqitën Egjipti, Siria, Azerbajxhani dhe Algjeria. Rezoluta u hodh në
propozim nga Arabia Saudite. Ajo u miratua njëzëri nga të gjithë anëtarët e Konferencës
Islamike. Miratimi i saj e hap rrugën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet islamike.
Ishte kjo një fitore e madhe e diplomacisë shqiptare dhe dështim i plotë i asaj serbe.
Diplomacia serbe vepron me të madhe në vendet e botës së tretë. Kjo e ashtuquajtur
botë e tretë, gjeografikisht shtrihet në Azi, në Afrikë dhe në Amerikën Latine. Këto vende
dikur quheshin edhe si vende në zhvillim. Këto shprehje përdoreshin dendur në kohën e luftës
së ftohtë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Gati të gjitha vendet e botës së tretë kanë qenë
anëtare të organizmit, të njohur me emrin Mosinkuadrim, apo Lëvizje e vendeve të
paangazhuara. Shtetet udhëheqëse të Lëvizjes së vendeve të paangazhuara thoshin se ky
organizëm, në  botën të ndarë në blloqe politiko-ushtarake, s’është as me NATO-n, e as me
Traktatin e Varshavës. Në të vërtetë, gati të gjitha këto vende të paangazhuara apo të
painkuadruara, ishin nën ndikimin – qoftë të BRSS-së, qoftë të SHBA-së. Serbia e sotme,
para vendeve të botës së tretë hiqet si trashëgimtare e Jugosllavisë së Titos, i cili konsiderohej
si një nga themeluesit e lëvizjes së vendeve të paangazhuara.
Më 1955, në Bandung të Indonezisë, me nismën e Birmanisë, të Sri-Lankës (atëherë
Cejlon), të Indisë, të Indonezisë dhe të Pakistanit, u mbajt Konferenca e Bandungut. Në të
morën pjesë edhe 24 vende të tjera të Azisë dhe të Afrikës. Midis tyre Egjipti, Kina etj. Ky
faktor i ri i arenës ndërkombëtare, d.m.th. bota e tretë, u paraqit kundër bipolarizimit të
bashkësisë ndërkombëtare. Në të u përcaktuan parimet e politikës ndërkombëtare të vendeve
të botës së tretë. Të njëjtat parime do t’i përvetësojë më vonë edhe Lëvizja e vendeve të
paangazhuara. Josip Broz Tito-ja dhe Jugosllavia e tij, në asnjë pikëpamje nuk ishin pjesë e
kësaj konference. Në kohën kur u mbajt Konferenca e Bandungut (1955), Josip Broz Tito-ja
ende s’ishte në atë vijë. Për më tepër, pikërisht atë vit (maj 1955) erdhi për vizitë në
Jugosllavi Nikita S. Hrushçovi.
Në vitet 1954, 1955 dhe 1956 Josip Broz Tito-ja i vizitoi vendet e Azisë dhe të
Afrikës. Ai dhe liderët e Indisë, të Birmanisë, të Egjiptit dhe të Etiopisë i formuluan parimet
themelore të Mosikuadrimit: bashkë-ekzistenca paqësore vepruese, ruajtja e paqes në botë,
kundërshtimi i ndarjes së botës në blloqe etj. Më 1956, në ishujt Brioni të Adriatikut u mbajt
takimi shumëpalësh midis Josip Broz Titos, kryetarit të Egjiptit – Naserit dhe kryetarit të
Indisë – Nehrus. Ky takim synonte themelimin e Lëvizjes së vendeve të paangazhuara.
Takimi i dytë shumëpalësh u mbajt në Nju-Jork, në vitin 1960, gjatë Sesionit XV të
Asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Në të morën pjesë ata që do të quhen udhëheqës të
vendeve të paangazhuara: Titoja, Naseri, Nehru, presidenti i Ganës – Kvame Nkruma (1909-
1972) dhe presidenti i Indonezisë – Ahmed Sukarno (1901-1970), i cili prej vitit 1948
qeverisi në mënyrë diktatoriale duke synuar të bëhej udhëheqës i Azisë Juglindore. Pesëshi i
sipërthënë pretendonte se detanti që pasoi pas dhjetë vitesh (më 1970) ndërmjet fuqive të
mëdha, ishte edhe meritë e tyre. Më 1961 u mbaj në Beograd Konferenca e parë e shefave të
shteteve dhe të qeverive të vendeve të paangazhuara. Ky takim zgjati gjashtë ditë. Kësaj
konference i priu mbledhja përgatitore e mbajtur në Kajro. Në Beograd u tubuan liderë të 25


vendeve të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine. Nga kjo konferencë i dërguan letër
Xhon Kenedit dhe Nikita Hrushçovit. Më 1964 u mbajt në Kajro Konferenca e dytë e
vendeve të paangazhuara, në të cilën morën pjesë 47 vende anëtare. Më vonë pasojnë edhe
takimet e tjera: në Beograd (1969), në Lusakë (Zambi, 1970), në Xhorxhtaun (Guajanë të
Amerikës Latine, 1972), në Algjer (1973), në Kolombo (Sri-Lankë, 1976) etj.
2. Sipas Josip Broz Titos, Lëvizja e vendeve të paangazhuara udhëhiqej nga
trekëndëshi Beograd-Kajro-Nju-Delhi (Tito-Naser-Nehru). Pas vdekjes së Nehrus atë e
zëvendësoi e bija Indira Ghandi, e cila, derisa ishte në krye të Indisë, zhvilloi marrëdhënie të
ngushta me Jugosllavinë e Titos. Por, në krye të kësaj piramide, Titoja e kishte vendosur
veten. Jugosllavët kishin dëshirë të madhe që si themelues të lëvizjes së vendeve të
paangazhuara ta proklamonin Titon. Asnjë lider i botës së tretë nuk pretendonte për liderizëm
në këtë lëvizje. Liderizmi i kësaj lëvizjeje ishte preokupim vetëm i Titos, ndaj ai hiqej si
prijës i lëvizjes dhe si themelues i saj. Duhet thënë se kjo e ashtuquajtur lëvizje, në arenën
ndërkombëtare nuk ka luajtur kurrfarë roli të rëndësishëm. Shumë nga këto vende, të cilat
gjoja angazhoheshin për një botë pa luftë, vite me radhë kanë luftuar kundër njëra-tjetrës.
Ndikimi i BRSS-së mbi një pjesë të konsiderueshme të botës së tretë ka qenë permanent.
Politika e ekuidistancës ndaj Lindjes dhe Perëndimit që proklamonte kjo lëvizje, nuk ishte
veçse mashtrim.
3. Diplomacia serbe ka kohë që në planin diplomatik lufton kundër Kosovës – në
shumë vende të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine. Beogradi para këtyre vendeve
manipulon me emrin e Titos, me prestigjin e Jugosllavisë së dikurshme dhe flet në emër të
Mosinkuadrimit. Titoja dhe Jugosllavia, në periudhën e viteve 1954-1980 kanë qenë mjaft të
afirmuar në vendet e botës së tretë. Ai s’ka lënë vend të botës së tretë pa e vizituar. Vizita e tij
në Afrikë në vitin 1960, me anijen Galeb, të shoqëruar edhe nga katër anije të tjera dhe dy
mjete ajrore në qiell – zgjati 72 ditë. Titoja në këtë udhëtim shoqërohej nga Llazar
Kolishevski, nga babai i nacionalizmit serb – Dobrica Qosiqi etj. Në vitet ’60 (të shekullit
XX) diplomacia jugosllave në botën e tretë arriti kulmin e suksesit të vet. Titoja e bëri
deprovincializimin e politikës jugosllave. Ai pretendonte të bëhej njëfarë simboli i
emancipimit dhe i identifikimit të vendeve të botës së tretë. Duke qenë udhëheqës i një vendi
evropian, mendonte se autoriteti i tij në vendet e botës së tretë, është i padiskutueshëm.
Diplomacia serbe, kur është fjala për Kosovën, është mjaft e gjallë dhe influente,
pikërisht në Egjipt dhe në Indi, si dy vende me ndikim të theksuar në rajonet e tyre. Këto dy
vende, në kohën e Naserit dhe të Nehrus (më vonë edhe të së bijës Indira Gandit) kishin
marrëdhënie të veçanta me Titon dhe me Jugosllavinë e tij. Sipas Beogradit, të mbështetësh
Serbinë do të thotë të respektosh figurën e Titos. Të përkrahësh Serbinë, do të thotë të
nderosh Jugosllavinë e dikurshme. Të jesh me Beogradin, do të thotë të respektosh një qendër
politike që ka qenë themeluese e Lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Me fjalë të tjera,
Serbia e provincializuar, në shumë vende të botës së tretë tenton të manipulojë me figurën e
Titos, me autoritetin që ka gëzuar dikur Jugosllavia e tij si dhe me lëvizjen e Mosinkuadrimit.
Shumë vende afrikane, aziatike dhe hispano-amerikane Titon e konsideronin si një
prej prijësve të botës së tretë. Jugosllavinë ndërkaq, si një prej vendeve kryesore të saj.
Legjenda thotë: “Në shumë vende të botës së tretë, mjafton të përmendje fjalët Tito e
Jugosllavi dhe të gjitha rrugët do t’i kesh të hapura”. Serbia sot, para vendeve afro-aziatike
dhe latino-amerikane hiqet se është vend i Titos, dikur aq të adhuruar prej tyre. Serbia sot,
para vendeve të sipërthëna, hiqet si trashëgimtare e Jugosllavisë së Titos.
Shumë vende arabe i takonin botës së tretë. Gati të gjitha këto vende ishin anëtare të
Lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Titoja me botën arabe kishte marrëdhënie tejet të mira.
Gati çdo ditë, aeroplanët fluturonin prej Beogradi për në kryeqytetet e vendeve arabe dhe
anasjelltas. Sipas ministrit serb të Punëve të Jashtme Vuk Jeremiqit, mosmbështetja e Serbisë

nga vendet arabe, nga vendet e botës së tretë apo nga vendet e paangazhuara do të thoshte
mosrespektim të personalitetit të Titos dhe të Jugosllavisë së tij të dikurshme.
4. Bota e tretë, bota arabe, vendet islamike apo vendet që dikur ishin anëtare të
Lëvizjes së vendeve të paangazhuara duhet ta dinë se Serbia e sotme s’ka kurrfarë lidhjeje as
me Titon, as me Jugosllavinë e tij. Duhet ta dinë se Serbia e sotme s’ka kurrfarë lidhjeje as
me botën arabe, as me botën islamike, as me Lëvizjen e vendeve të paangazhuara. Duhet ta
dinë se Serbia ka lidhje vetëm me një shtet të vetëm të planetit – Rusinë bolshevike,
hegjemoniste, ekspansioniste, sllavo-ortodokse dhe bizantine. Vendet arabe, islamike që aq
shumë e nderonin Titon, duhet ta dinë se ishin pikërisht serbët ata që e shtrembëruan vijën e
tij, me Memorandumin e ASSHA (SANU), që doli në Beograd si një libër anonim në janar të
vitit 1986. Një prej hartuesve të këtij projekti që u quajt nekrolog i Jugosllavisë, ishte edhe
akademiku serb Lubomir Tadiq, babai i kryetarit të përtashëm të Serbisë – Boris Tadiqit.
Duhet shtuar edhe faktin se akademiku L. Tadiq është mik i ngushtë i Dobrica Qosiqit, këtij
akademiku me shkollë të mesme bujqësore, i mbiquajtur baba i kombit serb. Ky baba i
kombit është njëherazi edhe përkufizuesi, formuluesi dhe artikuluesi bashkëkohor i të
ashtuquajturës çështje kombëtare serbe – kësaj murtaje të zezë të Ballkanit. Vendet arabe,
islamike që aq shumë e nderonin figurën e Titos, duhet ta dinë se ishin pikërisht serbët ata që
deshën ta zhvarrosnin kufomën e tij, për t’ua hedhur kroatëve në Kumrovec. Ishin pikërisht
serbët – ata që e shkatërruan Jugosllavinë e Titos, duke i suprimuar autonomitë e dy
krahinave, të cilat ishin pjesë ndërtuese të federatës jugosllave. Ishin serbët që e suprimuan –
me populizëm dhe me dhunë – Kushtetutën e vitit 1974, të miratuar nga Titoja. Bota arabe
duhet ta dijë se ishin serbët ata që i shpallën luftë Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e
Hercegovinës dhe Kosovës. Si rrjedhojë e këtyre katër luftërave të përgjakshme, të
shkaktuara prej serbëve – u shpërbë Jugosllavia e AVNOJ-it, d.m.th. e Titos. Bota arabe dhe
islamike duhet ta dinë se ishin serbët dhe Beogradi ata që vranë në Bosnjë dhe Hercegovinë
100 mijë deri 200 mijë myslimanë (numrin e saktë e dinë vetëm viktimat, përkatësisht të
afërmit e tyre). Bota arabe dhe islamike si dhe të gjitha vendet e botës së tretë në Azi, në
Afrikë dhe në Amerikën Latine, e dinë mirë se ishin pikërisht serbët dhe Beogradi ata që
vranë në Srebrenicë rreth 8000 myslimanë. Krejt bota e di se tragjedia e Bosnjës dhe
Hercegovinës, e shkaktuar prej serbëve, është gjakderdhja më e madhe në Evropën e pas
Luftës së Dytë Botërore.
Bota arabe dhe islamike duhet ta dinë se, në rastin e Kosovës, të jesh në anën e
Beogradit, do të thotë të jesh me kryerësit e krimit dhe të gjenocidit ndaj popullsisë
myslimane në Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Beogradi, ndër vendet arabe, islamike e paraqet Kosovën si kreaturë amerikane. Por,
vende të caktuar arabe, që janë në mosmarrëveshje me Uashingtonin, e që janë në raporte të
mira me rusët, duhet ta dinë se po të mos ishte SHBA-ja, Serbia e Milosheviqit, e
Koshtunicës, e Tadiqit dhe e Sheshelit do t’i shfaroste myslimanët në BH dhe shqiptarët në
Kosovë.
Tani, pas miratimit të Rezolutës për Kosovën në Damask nga vendet e Konferencës
Islamike, diplomacia e Prishtinës dhe ajo e Tiranës duhet t’i intensifikojnë veprimet e veta
para vendeve të botës islamike, jo vetëm për ta njohur sa më parë pavarësinë e Kosovës, por
edhe për ta denigruar e stigmatizuar deri në fund politikën e provincializuar dhe të djallëzuar
të Serbisë që e injoron realitetin e Bosnjës e Hercegovinës dhe atë të Kosovës.

Xhelal Zejneli