Danela Arsovska: Nuk kandidoj për politikane, por për menaxhere të qytetit!

Shkupi do të jetë një metropol evropian me rend në trafik, transport publik të shpejtë dhe efikas, me parqe dhe jetë kulturore që pulson nga të gjitha anët e qytetit. Ky është Shkupi që unë dua, ky është Shkupi që meritojmë, tha Danela Arsovska, kandidatja e pavarur për kryetare të Shkupit në konferencën e sotme për shtyp me të cilën e shënoi fillimin e fushatës së saj elektorale. “Sot e filloj garën time për t’u bërë gruaja e parë kryetare të Shkupit, gruaja e parë kryetare e pavarur të Shkupit. Shkupit nuk i duhen më shumë politika partiake, Shkupit nuk i duhet më shumë ndarje. Shkupi ka nevojë për një menaxher i cili do të kujdeset për nevojat e qytetarëve dhe do ta çojë qytetin tonë përpara. Jo me demagogji dhe utopi boshe, por me përkushtim, punë të palodhur dhe profesionalizëm. Unë jam e gatshme. Kam një ekip dhe plan. Unë nuk jam një person që beson në premtime boshe dhe projekte utopike të cilët nuk do realizohen kurrë. Unë jam një grua që besoj në fakte, numra dhe besoj në zgjidhje reale. Unë besoj në zgjidhje të shpejta dhe të sigurta që do ta ndryshojnë qytetin tonë për mirë, që do të përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve,” shtoi ajo.