Botimet e ITSHKSH, pjesë e fondit librar të Bibliotekës së Kongresit

Tash e disa vite një katalog i posaçëm i librave të ITSHKSH ndodhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan. Kjo u bë e ditur gjatë një takimi që patën përfaqësuesit e ITSHKSH, të udhëhequr nga drejtori, prof.dr. Skender Asani, me Dr. Nevila Pahumi, bibliotekare referuese për greqishten e re dhe shqipen dhe Mr. Michael Neubert, drejtor i seksionit Evropian te Bibliotekës së Kongresit.


Ky interesim për librin shkencor nga ana e Bibliotekës së Kongresit Amerikan është si rezultat i kureshtjes profesionale që ka treguar kjo bibliotekë e rëndësishme ndaj punës hulumtuese e krijuese të ITSHKSH-së. Kjo u bë e qartë edhe në këtë takim, me ç’rast mysafirëve nga Shkupi iu prezentuan një mori botimesh të ITSHKSH që Biblioteka e Kongresit i kishte siguruar dhe të cilat tash më janë në dispozicion të lexuesve të kësaj biblioteke.

Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani u zotua se në të ardhmen fondi i librave, revistave shkencore si dhe publikimeve të specializuara do të jenë në dispozicion të Bibliotekës së Kongresit Amerikan, ofertë kjo e cila u mirëprit nga përfaqëuesit e kësaj biblioteke.

Gjatë këtij takimi u shyrtua edhe mundësia e organizimit të një ekpozite fotografike me materiale arkivore të ITSHKSH në ambientet e Bibliotekës së Kongresit Amerikan.
Përfshirja e botimeve të ITSHKSH në fondin librar të Bibliotekës së Kongresit Amerikan, sipas Dr. Skender Asanit, paraqet një nga vlerat më domethënëse në kulturën e komunikimit ndëkontinental, aq më tepër kur në këtë bibliotekë janë përfshirë materiale kërkimore nga të gjitha pjesët e botës, në më shumë se 450 gjuhë.

Të jesh pjesë e fondit librar të Bibliotekës së Kongresit, siç u shpreh dr. Asani figurativisht, i bie që të notosh në një oqen të madh librash, edhe për faktin se kjo është një nga bibliotekat më të mëdha në botë.

Kjo është biblioteka kërkimore që i shërben zyrtarisht Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe është biblioteka kombëtare de facto e Shteteve të Bashkuara. Është institucioni më i vjetër kulturor federal në Shtetet e Bashkuara. Biblioteka është vendosur në tre ndërtesa në Capitol Hill në Uashington, DC, gjithashtu mban një qendër konservimi në Culpeper, Virxhinia. Funksionet e bibliotekës mbikëqyren nga Bibliotekari i Kongresit dhe ndërtesat e tij mirëmbahen nga Arkitekti i Kapitolit. Biblioteka e Kongresit.