Berisha kërkon largimin e Bashës nga drejtimi i PD: Ka 8 vjet që humb

Ish-kryeministri Sali Berisha ka organizuar këtë të enjte takimin e parë me mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike.


Takimi i Berishës vjen pas vendimit të kryetarit të PD, Lulzim Basha për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

Berisha thotë se do të zhvillojë një tur takimesh që nis sot nga Tirana, për atë që ai e ka cilësuar “rikthimi i sovranitetit për PD”.

Të pranishëm mes mbështetësve të Berishës janë edhe deputetë të grupit parlamentar të PD.

Takimi mbahet në një kohë kur në Parlament pritet miratimi i qeverisë së re “Rama 3”.

Të pranishëm në sallën ku po mbahet takimi janë deputetët Flamur Noka dhe Tritan Shehu si dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani.

Berisha e cilësoi këtë tur takimesh si hapin më të rëndësishëm pas themelimit të PD. Ai e cilësoi kreun e mazhorancën qeverisëse, Edi Rama si të lidhur me krimin e organizuar.

Ndonëse takimi mbahej në kuadër të përjashtimit të tij nga grupi i PD, Berisha e nisi fjalimin e tij në sulme ndaj kreut të mazhorancës.

“Kjo foltore nis në një moment më kritik se çdo kohë tjetër për Shqipërinë. Sot në Parlamentin shqiptar betohen për të tretën herë kreu i Meduzës së krimit të organizuar” tha Berisha.

Iniciativën “Open Balkan” e cilësoi si përpjekje për të rikthyer Jugosllavinë. Berisha e cilësoi Ramën si “vasal” dhe “argat” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe shtoi se e ka shndërruar Shqipërinë në epiqendrën e luftës së ftohtë ndaj Kosovës.

Të pranishëm në sallën ku po mbahet takimi janë deputetët Flamur Noka dhe Tritan Shehu si dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani.

Berisha u shpreh se “PD është në gjendjen më kritike që prej krijimit të saj” duke shtuar se “ka 8 vjet që ka humbur çdo nismë përveç ligjit të dekriminalizimi”.