Bekteshi në Varshavë: Maqedonia është lider në transformimin e energjisë së gjelbër në Ballkanin Perëndimor

Sektori energjetik në Republikën e Maqedonisë së Veriut është një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe është prioritet i Qeverisë për të siguruar furnizim të sigurt me energji, rritje ekonomike dhe lëvizje drejt një ekonomie të gjelbër. Si vend kandidat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, ne po përballemi me sfidat për zbatimin efektiv të reformave serioze në sektorin ekonomik, nga të cilat energjia është e një rëndësie të veçantë, dhe si anëtar i Komunitetit të Energjisë ne ndjekim politkën energjеtike të BE -së, duke zbatuar kështu direktivat dhe rregulloret e BE -së për energjetikën.

Këtë e theksoi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në Takimin Ministror për Partneritet Transatlantik për energjinë dhe ndryshimet klimatike (P-TECC) të organizuar nga Ministria e Energjisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministria e Klimës dhe Mjedisit të Republikës së Polonisë, që u mbajt sot në Varshavë.

Në fjalimin e tij mbi reformat drejt tranzicionit të energjisë së gjelbër në Maqedoninë e Veriut, Ministri theksoi se Ligji i ri për Energjetikë është plotësisht në përputhje me rregulloret e BE -së, si dhe Komunitetin e Energjisë, dhe mundëson zbatimin e Strategjisë së re të Zhvillimit të Energjetikës deri në vitin 2040 dhe Planit Kombëtar të Klimës dhe energjisë, që është në pritje të miratimit.

“Për këto aktivitete, Komuniteti i Energjisë vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin tonë për gjithçka që kemi bërë në sektorin e energjetikës drejt një transformimi të plotë energjetik në energji të gjelbër si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që e ka bërë këtë,” tha ministri Bekteshi.

Ministri informoi se Strategjia e Zhvillimit të Energjetikës deri në vitin 2040 u miratua në fund të vitit 2019 dhe zhvillon tre skenarë – një skenar reference, një skenar të moderuar të tranzicionit dhe një skenar të gjelbër, të cilat pasqyrojnë dinamika të ndryshme të tranzicionit energjetik dhe lejojnë fleksibilitetin e vendit për t’iu përgjigjur për përshtatur politikave qeverisëse të BE-së drejt një ekonomie moderne, konkurruese dhe neutrale ndaj klimës deri në vitin 2040.

“Rezultatet e integruara të skenarit të gjelbër të strategjisë energjetike në vitin 2025 tregojnë përparim të rëndësishëm drejt tranzicionit energjetik. Sipas këtij skenari, në vitin 2025 parashikohen kursime në konsumin përfundimtar të energjisë prej 12.7%, “tha ministri Bekteshi, duke shtuar se Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës e vendos Maqedoninë e Veriut si anëtarin e parë të Komunitetit të Energjisë që përgatit një dokument të tillë.
“Kjo tregon angazhimin serioz të vendit për të qenë në hap me trendet evropiane të energjisë dhe klimës,” ceku ministri Bekteshi në fjalimin e tij para ministrave dhe zyrtarëve të lartë nga 25 vende që morën pjesë në Takimin Ministror.

“Vlera totale e investimeve në sektorin energjetik, e parashikuar në Strategjinë e Zhvillimit Energjetik 2021-2025 është rreth 4.2 miliardë euro dhe i referohet projekteve kryesore të infrastrukturës që janë pjesë e investimeve të përgjithshme të parashikuara në sektorin energjetik në Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, investimet publike të planifikuara në energjetikë në periudhën 2021 – 2025 arrijnë në rreth 390 milion euro, që tregon se investimet publike në sektorin e energjetikës janë të vogla dhe se kontributi i burimeve të tjera të financimit do të jetë vendimtar për zbatimin e Strategjisë për energjetikë“ theksoi ministri Bekteshi.

Ministri në fund theksoi se nisma për një ekonomi konkurruese dhe neutrale ndaj klimës të secilit vend fillon nga të menduarit tonë se si do të duket e ardhmja.

“E rëndësishme është se çfarë masash ndërmarrin Qeveritë dhe nëse ato do të jenë mjaft të mira për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien tonë, si do të ringjallet ekonomia, cila do të jetë oferta jonë, në çfarë mbështetje mund të besojmë, si do të ndryshojnë nevojat për lëvizshmëri dhe në fund, çfarë roli mund të luajë secili prej nesh. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësinë të marrin një vendim të guximshëm për të ecur përpara drejt një të ardhmeje të qëndrueshme të dekarbonizuar dhe të përdorin potencialin e rajonit për një mjedis më të shëndetshëm,” tha ministri Bekteshi.

Gjatë takimit ministror, ministri Bekteshi realizoi takim dypalësh me ministrin e Klimës dhe Mjedisit të Republikës së Polonisë, Mihal Kurtika. Në takim, të dy ministrat theksuan përpjekjet e tyre të forta për të thelluar bashkëpunimin në fushën e energjetikës midis dy vendeve.

Ministri Bekteshi prezantoi projektet në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë që janë planifikuar të zbatohen në Maqedoninë e Veriut në periudhën e ardhshme, të cilat janë një mundësi e madhe për investime nga investitorët polakë.