Amerikani fut me mençuri aligatorin në shportën e mbeturinave

Një veteran i ushtrisë amerikane, i cili pa një aligator afër shtëpisë së tij, është incizuar duke përdorur një shportë mbeturinash për ta izoluar kafshën e rrezikshme para se ta lironte atë në një liqen afër vendbanimit të tij.


Eugene Bozzi nga Florida e ndërmori veprimin e guximshëm, pasi e bija e tij i tha se aligatori i gjatë më shumë se dy metra ndodhet në oborrin e shtëpisë.

Veterani shihet duke e shtyrë shportën drejt aligatorit para se ta ngrëntë atë dhe ta mbyllte me kapak për t’ia pamundësuar daljen aligatorit, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.

Ai më pas e lëviz shportën me rrota, ndonëse ajo i dridhej në duar nga përpëlitjet e aligatorit brenda saj.

“Isha i frikësuar kur e kisha brenda në shportë, sepse ishte shumë i fuqishëm. Nuk e prisja. Po mundohej të dilte jashtë duke e lëvizur bishtin”, tha babai i një fëmije.

“Nuk i di procedurat, prandaj e bëra në mënyrën time. M’u aktivizua instinkti ushtarak, e keni parasysh: mbroj me çdo kusht”, shtoi ai.