Afrika regjistroi 72 mijë vdekje nga covid-19 gjatë 3 muajve

Drejtori i Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se që nga fillimi i pandemisë në kontinent, janë regjistruar afërsisht 205 mijë vdekje nga virusi, 72 mijë prej të cilave kanë ndodhur në qershor, korrik dhe gusht.


Vendet afrikane regjistruan 72 mijë vdekje gjatë tre muajve, duke lënë pas periudhën më vdekjeprurëse që nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Drejtori i Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Dr. John Nkengasong, në konferencën e tij javore për shtyp, deklaroi se që nga fillimi i pandemisë në kontinent, janë regjistruar afërsisht 205 mijë vdekje nga virusi, 72 mijë prej të cilave kanë ndodhur në qershor, korrik dhe gusht.

Duke theksuar se vala e katërt ka filluar në Algjeri, Benin, Kenia, Tunizi, Egjipt, Mauritius dhe Somali, Nkengasong deklaroi se vdekjet në Afrikë përbëjnë 4,4 për qind të totalit global.

Nkengasong gjithashtu tha se Afrika e Jugut, Maroku, Tunizia, Libia dhe Etiopia përbëjnë më shumë se 60 për qind të të gjitha rasteve në kontinent.

Sipas Africa CDC-së, sasia e vaksinave që kanë ardhur në kontinent ka arritur në 167,5 milionë doza, ndërsa 122 milionë doza janë administruar deri më tani.