Afganistani s’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Afganistani nuk do t’i drejtohet të hënën Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasi ambasadori i Qeverisë së rrëzuar nga talibanët e tërhoqi emrin e tij nga agjenda.


Ambasadori aktual në OKB, Ghulam Isaczai, i cili përfaqëson Qeverinë afgane të rrëzuar nga talibanët, do të ishte folësi i fundit në takim.

Tërheqja vjen pas kërkesës së militantëve talibanë për t’iu drejtuar organit botëror.

Isaczai nuk iu përgjigj kërkesave për komente.

Qeveria e udhëhequr nga talibanët në Afganistan kërkoi javën e kaluar që t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe emëroi zëdhënësin e grupit islamik, Suhail Shaheen, për ambasador të Afganistanit në OKB.

Kërkesa u kundërshtua hapur nga Gjermania, ministri i Jashtëm i së cilës tha se “shfaqja” e sundimtarëve të rinj të Afganistanit nuk do t’i shërbejë asnjë qëllimi.

Isaczai po ashtu kërkoi që t’i rinovohet akreditimi i tij.

Çështjet e akreditimit në OKB trajtohen nga një komitet prej nëntë anëtarësh, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë.

Ky komitet zakonisht mblidhet në tetor ose nëntor.