Në fillim të pavarësisë së Maqedonisë shqiptarët hynë të pabarabartë në të gjitha fushat. Megjithatë subjekti i parë politikë shqiptarë në qeverinë e asaj kohe Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) filloi aktivitete e saja për të drejtat e shqiptarëve, por kërkesat e tyre hasnin në vesh të shurdhër dhe mohoheshin nga aktorët politik të asaj kohë, kështu u shpreh për www.alsat.mk, ish zëvendësministri Ilir Luma.


“Para se ti numëroj të arriturat e shqiptarëve duhet treguar se në çfarë forme startuan shqiptarët nga dita e shpalljes së referendumit për pavarësi të Maqedonisë, dhe më pastaj pas pavarësimit, si dhe pas aprovimit të Kushtetutës së parë të Maqedonisë. Sa i përket kësaj periudhe, në fakt shqiptarët hynë të pabarabartë në të gjitha aspektet politike në pavarësinë e Maqedonisë, por më pastaj fal aktiviteteve politike që në fillim i bëri Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), por që fatkeqësisht, kërkesat që bëheshin në lidhje me të drejtat e shqiptarëve që duhej të gëzonin në Republikën tanimë të pavarur të Maqedonisë, hasnin në vështirësi të ndryshme dhe në mohim të atyre kërkesave”, tha Ilir Luma, ish zëvendësministër.

Zoti Luma me këtë rast përmendi konfliktin e armatosur të vitit 2001, Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese, pas çka sipas tij filloi edhe faza e avancimit të të drejtave të shqiptarëve.

“Më pastaj ndodhi edhe konflikti i armatosur, apo doli në skenë UÇK-ja, dhe më pas si parti që doli nga gjiri i luftës, me emrin Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), me përpjekjet e mëtejme, me aprovimin e Dokumentit të Ohrit, pësuan edhe ndryshimet dhe filloi faza e avancimit të të drejtave të shqiptareve në Maqedoni. Kështu që në këtë drejtim duhet thënë se një nga fitoret më të mëdha, ndonëse edhe ato në rrafshin e të drejtave të njeriut, arritëm legalizimin e Universitetit, krijimin edhe të një universiteti tjetër të dytë shqiptar, të drejtën e përdorimit të gjuhës, falë po ashtu pikave që ishin renditur në Marrëveshjen e Ohrit, tendenca për të arrit barabarësi, proporcionalitet në punësim, në të gjitha rrafshet, duke filluar nga pushteti lokal deri te ai qendror, pra, këto në fakt janë të arriturat më kolosale që duhet cekur brenda këtyre viteve”, deklaroi për www.alsat.mk, Ilir Luma, ish zëvendësministër.

Megjithatë sipas z. Luma kjo nuk është e mjaftueshme, ka akoma shumë për tu bërë dhe për këtë duhet angazhim më i madh i subjekteve politike dhe intelektualëve.

“Tashi ky është mendimi im personal, sepse ka mendime të ndryshme lidhur me këtë. Tani a kemi arritur kulminacionin, ashtu të them të të drejtave pas ndryshimeve të kushtetutës që dolën nga korniza e Dokumentit të Ohrit, ajo është çështje për të cilën mendoj se ka hapësirë edhe më shumë të angazhohen strukturat politike shqiptare, intelektualët dhe të gjithë të tjerët”, u shpreh Luma