Turistët janë evakuar nga brigjet në jug perëndim të Turqisë, ku flakët po kërcënojnë tani edhe hotelet e banesat.

Operacionet po drejtohen nga njësitë e rojes bregdetar ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje anijeve dhe jahteve private që të ndihmojnë në përpjekjet e evakuimit.

Në qytetin e Bodrumit deri tani 3 hotele me 5 yje janë evakuar. Zjarret të cilat vijojnë që prej të mërkurës deri tani kanë shkaktuar 6 të vdekur.

Dy vdekje u raportuan të shtunën. Ata ishin mes mijëra personave të cilët po luftonin vatrat e zjarreve në resorted dhe fshatrat e zonës mesdhetare turke dhe të Egjesë.

Zyrtarët thonë se deri tani 10 vatra zjarri janë vënë nën kontroll.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan vizitoi zonën të shtunën, duke inspektuar dëmtimet nga helikopteri.

Duke folur nga qyteti Manavgat, zoti Erdogan njoftoi se qeveria turke do të mbulojë qiratë për njerëzit e prekur nga zjarret dhe do të rindërtojë shtëpitë e tyre.