Procesi i digjitalizimit ishte temë kryesore gjatë takimit të sotëm mes Ministrit për shoqëri informatike dhe administratë, Jeton Shaqiri, Kordinatores së përhershme së Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Rossana Dudziak dhe udhëheqësit të zyrës së Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimit (ITU) për Europën, Jaroslaw Ponder.

Përgjatë takimit, Ministri Shaqiri i prezantoi aktivitetet e shumta të Qeverisë së RMV-së dhe MSHIA-së për përshpejtimin e digjitalizimit. Një aktivitet i rëndësishëm është dhe Strategjia nacionale e TIK-ut 2021-2025 e cila është e vendosur në Regjistrin nacional unik të rregulloreve (ENER) dhe pas integrimit të sygjerimeve do të kalohet në Qeveri.

Ministri Shaqiri përmendi edhe shtyllat për infrastrukturën, centralizimin e resurseve dhe aftësive digjitale si elemente tejet të rëndësishme për një digjitalizim të qëndrueshëm.

Përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara dhe ITU prezantuan modelet e ndryshme të mbështetjes teknike të cilat i ofrojnë për institucionet në RMV përmes agjencive të ndryshme. Gjithashtu shprehën edhe gatishmërinë për të ofruar mbështetje në implementimin e Strategjisë nacionale të TIK-ut, veçanërisht në pjesën për aftësitë digjitale.