Ngushtohet afati për miratimin e ndryshimeve eventuale në Kodin zgjedhor në prag të shpalljes së zgjedhjeve lokale. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ka caktuar 6 gushtin si datë të fundit për shpalljen e zgjedhjeve të 17 tetorit. Në rast se zgjedhjet shpallen pa miratimin e ndryshimeve që janë në procedurë parlamentare, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të miratojë dhe të publikojë kalendarin e aktiviteteve dhe afateve sipas Kodit aktual në fuqi. Procedura do të komplikohej në rast se propozimet që janë në Kuvend, miratohen pasi KSHZ-ja të ketë sjellë vendime të caktuara që lidhen me afatet.

Propozim-ndryshimet në Kodin zgjedhor në Kuvend janë bllokuar nga rreth 700 amendamente nga deputetët e partive më të vogla të cilët nuk pajtohen me një pjesë prej tyre. Propozohen lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë por me prag prej 3% nga numri i përgjithshëm i votuesve në listën zgjedhore të asaj komune si dhe sigurimi i nënshkrimeve nga 2% e votuesve të asaj komune për kandidaturat e pavarura.

Sapo të shpallen zgjedhjet, KSHZ-ja duhet të vendosë edhe maksimumin e shumës për reklamim politik në bazë të të cilit vendim, mediat duhet të përgatisin çmimoret me ofertat e tyre. Ndër risitë që mediat kanë kërkuar të zbatohet është çmimore e ndryshme për tre intervale të ndryshme kohore brenda ditës, varësisht shikueshmërisë. Në rast se nuk miratohen ndryshimet e propozuara që bazohen në rekomandimet e OSBE-ODIHR-së dhe negociatat me përfaqësuesit mediave, çmimoret do të jenë sipas rregullave të vjetra.

Ditë më parë, OJQ-të reaguan fuqishëm për propozim-ndryshime në Kodin zgjedhor, të dorëzuara pak kohë para datës së zgjedhjeve. Sipas tyre, ky veprim është në kundërshtim me rekomandimet më të rëndësishme të OSBE-ODIHR-së që Kodi zgjedhor të ndryshohet të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve.

Fatlume Dervishi