VMRO-DPMNE-ja dhe Aleanca për Shqiptarët me dy pikëpamja diametralisht të kundërta ndaj vendimit gjyqësor për organizatorët e dhunës në Kuvend, ku Trajko Veljanovski, Mile Janakievski, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasovski u shpallën fajtorë. Për VMRO-DPMNE-në ata janë të pafajshëm. Për Aleancën për Shqiptarët, dënimet me burg nën minimumin janë dëshmi për relacionin mes pushtetit dhe opozitës maqedonase. Pyetëm në të dyja partitë, nëse qëndrimet e ndryshme në bazë të 27 Prillit të përgjakshëm, mund të jetë pengesë për koalicion.

“Secili që ka qëllim të ndershëm dhe secili që mendon se ky pushtet e shpie Maqedoninë në shkatërrim është i mirëseardhur. LSDM-ja dhe BDI-ja udhëheqin politika të gabuara në dëm të shumicës së qytetarëve, në dëm të shtetit, kështu që të gjitha partitë që e ndajnë këtë ndjenjë janë të mirëseardhur në koalicion dhe VMRO-DPMNE-ja është e gatshme të bisedojë me të gjithë për koalicion që para mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve lokale”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Aleanca për Shqiptarët bëri të ditur se me VMRO-DPMNE-në kanë qëndrimet të ndryshme për shumë çështje.

“Rastin e 27 Prillit e udhëhiqte Gjykata. Kur ndodhi 27 Prilli pjesë e Qeverisë ishte edhe BDI-ja dhe e treta kemi qëndrimet të ndryshme edhe për çështje të tjera. Koalicioni ynë i mundshëm me parti të tjera do të jetë në bazë të programeve, e jo të interpretimeve të rasteve gjyqësore“, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Partitë tashmë me muaj të tërë përgatisin terrenin për koalicion parazgjedhor. LSDM-ja në pushtet dhe BDI-ja konfirmuan paraqiten e përbashkët, ndërsa mbështetje të ndërsjellë në garën për kryetarë të komunave dhe këshilltarë do të jetë që në raundin e parë. Pjesë e koalicionit të Zaevit janë edhe BESA dhe PDSH-ja.