Policia Rrugore prangosi 13 shoferë gjatë 48 orëve të fundit. Gjashtë prej tyre, sipas njoftimit, u arrestuan për drejtim mjeti pa leje drejtimi, ndërsa shtatë të tjerë për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Po ashtu, janë pezulluar edhe 54 leje drejtimi, nga të cilat 33 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

“Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2679 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës. Falë denoncimeve të qytetarëve janë parandaluar 5 ngjarje rrugore në gjithë vendin. Drejtues mjetesh që kryenin manovra të rrezikshme dhe gara shpejtësie në rrugë, në Tiranë, Lezhë, Durrës, Fier e Vlorë, janë ndëshkuar me masë administrative 40.000 lekë të rinj secili”, njoftoi policia.