Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koqinaj tha se deri në orën 16:00 aktive kanë qenë 10 vatra zjarri në Kosovë.

“Gjatë ditës kemi pasur edhe deri në 50 vatra zjarri, por që kanë mundur të lokalizohen, falë edhe ndërhyrjes së KFOR-it”, tha ai.
Koqinaj tha se rajoni më i goditur nga zjarret është ai i Pejës e sidomos fshati Shtupeq.
“Është bërë maksimumi përfshirë edhe ndërhyrjen e KFOR-it që zjarret të shuhen, por ato janë riaktivizuar përsëri. Dje dhe sot erërat e kanë ri ndezë dhe shpërnda zjarrin”, tha ai.
Koqinaj thotë se Kosova ka nevojë të madhe për helikopterë në mënyrë që sa më mirë të menaxhohen situatat nga fatkeqësi të ndryshme.
“Kosova ka nevojë imediate për helikopterë, por si duket asistenca që po na jep KFOR-i po na vë në një pozitë rehatie”, deklaroi Nehat Koqinaj.