Zjarrfikësit në Itali thanë të shtunën se ata po luftonin për të dytën ditë radhazi me zjarret e egra në Sicili që arritën në qytetin e Catania-s, duke i detyruar njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre dhe që aeroporti lokal të mbyllet përkohësisht.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, zjarrfikësit thanë në Twitter se ata kishin kryer 250 operacione në Sicili në 24 orët e fundit, nga të cilat 50 ishin vetëm në Catania. Qyteti i famshëm për arkitekturën e tij barok ndodhet në shpatet e malit Etna në bregun lindor të ishullit.

Zjarret goditën zonën e Catania-s përballë detit, duke shkatërruar vendpushimin e plazhit lokal La Capannina, ku imazhet e medieve sociale treguan karrige plazhi dhe çadra të djegura.

Me temperatura që i afrohen 40 gradë Celsius, erërat e nxehta kanë ndezur flakët në të gjithë ishullin, derisa zjarret kanë shpërthyer edhe në provincën Palermo.

Në fillim të kësaj jave, zjarret janë vërshuar në pjesë të ndryshme të Evropës Jugore, përfshirë në Spanjë dhe në rajonet jugore të Turqisë, derisa shkatërruan edhe ishullin italian të Sardenjës.

Për të zbutur flakët në Sardenjë, Italia u detyrua të kërkojë ndihmë nga Bashkimi Evropian, që të hënën dërgoi katër avionë zjarrfikës pyjorë, pasi më shumë se 350 njerëz u evakuuan.

Në anën tjetër, edhe Turqia po përballet me situata të rënda për shkak të zjarreve, nga ku kanë humbur jetën pesë persona.