Dita e sotme ishte mjaft e suksesshme në aspektin sportiv për Britaninë e Madhe, pasi për herë të parë që nga viti 1908 dy meshkuj britanikë ngjiten në podium së bashku.

Tomi Din arriti të fitonte medalje ari në garën 200 metra not stil i lirë, duke e kryer garën për kohën 1 minutën e 44.22 sekonda, ndërsa patrioti i tij, Dankan Skot, u rendit i dyti me vetëm 0.04 sekonda mbrapa, duke siguruar një medalje argjendti.

Ky ishte një rekord për dyshen britanike, pasi ndodhi për herë të parë pas 113 vitesh që dy notarë meshkuj britanikë të ngjiten në podium së bashku.

Një rezultat i pabesueshëm për 21-vjeçarin Din, i cili vitin e kaluar u prek dy herë nga Covid-19, por arriti të siguronte medalje ari në Tokio.