MASH është e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor, por edhe për zbatimin e proceseve reformuese nga shtatori. Arsimi është shumë i rëndësishëm për vendin, identitetin, të ardhmen e vendit i cili synon drejt standardeve evropiane dhe pikërisht për këtë ne investojmë çdo ditë në proceset reformuese si dhe kushte të sigurta për mësim gjatë kohës së pandemisë, gjë të cilën nuk e shohim tek opozita e cila vazhdon me opstrukcione.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve, nëse do të ketë reforma nga shtatori, konkretisht si dhe kur do të filloj viti shkollor, parashtruar nga deputeti Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Ministrja i bëri thirrje deputetit Stojanovski, për të cilin tha se padyshim se nuk është i informuar për proceset në arsim, të ndjekë ueb faqen zyrtare të MASH ku vazhdimisht azhurnohen të gjitha informatat në lidhje me reformat në arsim.

“Në fillim të këtij viti, sollëm konceptin e ri për arsimin fillor, në prill u sollën programet. Tekstet shkollore, materialet mësimore për klasën e parë gjithashtu janë gati, dhe janë në botim edhe për klasën e katërt.

Sigurisht me mbështetjen e të gjitha organizatave ndërkombëtare. Të mos harroj se mbi 4,000 mësimdhënës janë trajnuar për të qenë në gjendje të fillojnë me sukses vitin shkollor nga shtatori. “Si kurrë më parë, të gjithë kalendarët për fillimin e vitit shkollor nga 1 shtatori janë sjellur në kohë,” tha Carovska.

Ministrja theksoi se me këto kalendarë është paraparë fillimi dhe mbarimi i vitit shkollor, por si Qeveri dhe Ministri përgjegjëse për shkak se jemi në Kovid, janë përgatitur tre skenarë për mësimdhënien për vitin e ardhshëm shkollor.

“ Mendojmë se më e rëndësishme është, gjegjësisht skenari më i mirë është prezenca fizike ku të gjithë nxënësit sipas orareve do ta fillojnë mësimin me prezencë fizike.

Nëse ka një ndryshim drastik në pasqyrën e gjendjes epidemiologjike, atëherë duhet të ndryshojmë skenarin me mësimdhënie hibride një javë në shkollë një javë online dhe skenari i tretë më pak i dëshiruar është që të kalojmë pjesën më të madhe të mësimdhënies online.

Presim që nëse të gjithë i përmbahen masave siç kemi respektuar protokollet e fundit me praninë fizike, ne do t’ia dalim ta realizojmë edhe këtë vit shkollor në atë mënyrë. “Përveç kësaj, deri më sot, mbi 58% e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve në shkolla janë vaksinuar,” tha Carovska.