Brenda disa muajve, forcat amerikane në Irak do të përfundojnë misionin e tyre luftarak atje, njoftoi Presidenti Joe Biden të hënën gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin irakian Mustafa al-Kadhimi.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në Zyrën Ovale, Presidenti Biden, në praninë e udhëheqësit irakian, tha se roli i ri i trupave amerikane në Irak do të jetë “vazhdimi i trajnimit të forcave irakiane dhe ofrimit të ndihmës në përpjekjet kundër ISIS-it (Shtetit Islamik) kur të jetë e nevojshme, por në fund të vitit, ne nuk do të jemi më në një mision luftarak (në Irak)”.

Zoti Biden nuk pranoi të saktësonte numrin e trupave amerikane që do të mbeteshin në Irak. Aktualisht, në Irak ndodhen afërsisht 2,500 ushtarë ameirkanë.

“Ky është një ndryshim i misionit. Nuk është një tërheqje nga partneriteti ynë, e pranisë sonë atje, ose e angazhimit tonë të ngushtë me udhëheqësit irakianë”, tha për gazetarët zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki pak para takimit Biden- al-Kadhimi në Zyrën Ovale.

Trupat amerikane në Irak “janë të afta të bëjnë shumë gjëra”, u tha gazetarëve Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin në Alaskë të shtunën.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse ai do t’i klasifikonte trupat amerikane që aktualisht ndodhen në Irak si një forcë luftarake apo kryesisht të përkushtuar në stërvitjen dhe këshillimin e ushtrisë irakiane, zoti Austin u përgjigj: “Unë mendoj se përpjekja për ta bërë atë dallim është shumë e vështirë. Por unë do të thoja se gjëja më e rëndësishme do të jetë objektivi dhe detyra që do të na jepet në çdo kohë të caktuar”.

Theksi, thonë zyrtarët, do të mbetet shmangia e përsëritjes së ngjarjeve që shtatë viteve më parë, kur Shteti Islamik pushtoi Mosulin dhe dhjetëra mijëra luftëtarë të huaj vërshuan në Irak dhe Sirinë fqinje. Forcat e qeverisë Irakiane pothuaj u mposhtën në atë periudhë dhe dhjetëra sulme vetëvrasëse ndodhnin çdo muaj.