Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se dëshiron që Gjermania të furnizojë me armë vendin e tij, në konfliktin e vazhdueshëm me separatistët e mbështetur nga Rusia.

Komentet e Zelensky për ”Frankfurter Allgemeine Zeitung” rihapin një diskutim që çoi në akuza midis anëtarëve të Partisë së Gjelbër Gjermane javën e kaluar.

“Gjermania nuk na ka dhënë ndonjë ndihmë ushtarake, por mund ta bëjë”, tha Zelensky në komentet që do të botohen sot.

Ai vuri në dukje se Ukraina mund të përdorë raketahedhëse, anije patrullimi, pushkë, pajisje radio dhe automjete të blinduara ushtarake gjermane.

Ai tha se ishte mirënjohës për ndihmën nga Gjermania, por donte më shumë.

Ukraina prej vitesh është përfshirë në një mosmarrëveshje me separatistët e mbështetur nga Rusia, në lindje të vendit.

Tensionet janë përshkallëzuar muajt e fundit, ndërsa trupat ruse u grumbulluan pranë kufirit, megjithëse duket se janë tërhequr që atëherë.

Robert Habeck, një figurë kryesore në Partinë e Gjelbër Gjermane, kohët e fundit udhëtoi në Kiev dhe foli për nevojën e vendit për armë.

Por, komentet e Habeck çuan në grindje javën e kaluar brenda partisë së tij, e cila tradicionalisht është kundër këtyre iniciativave.