Federata e Futbollit të Maqedonisë është shprehur mirënjohëse për të gjitha ata që duan t’i takojnë futbollistët e përfaqësueses dhe të iu urojnë suksese në ndeshjet e EURO 2020, por theksojnë se sipas protokolleve të UEFA-së nuk janë në gjendje të organizojnë ndonjë pritje nga institucionet shtetërore. Pikërisht për këtë kryeministri Zaev mbrëmë në emisionin Klan Debat u ankua se dëshiron t’i takojë futbollistët, por FFM nuk e lejon.

“Desha dje t’i shoh, reprezentuesit kërkuan që t’i vizitoj në stadium, por Federata, Meti thotë se nuk mundet. Ok do të shkoj në Hotel Hilton t’i shoh atje ku janë vendosur edhe atje nuk më lejuan. Tani i ftova të mërkurën të vijnë tek unë që të shihemi sepse kërkojnë, një pjesë e madhe e reprezentuesve duan inkurajim nga presidenti i tyre i shtetit, nga kryeministri nga kryetari i Kuvendit, por përfundimisht nuk lejuan”, tha Zaev.

FFM doli me një njoftim zyrtar në të cilin thuhet se ekipi duhet të shmang çdo kontakt me persona që janë jashtë ekipit për të minimizuar rrezikun e infektimit në çdo masë të mundshme

“Çdo mosrespektim i masave dhe rregullave të përcaktuara në Protokollin e UEFA-së mund të rezultojë në masa disiplinore në përputhje me rregullat disiplinore të UEFA-së dhe të rrezikojë pjesëmarrjen e ekipit në “EURO 2020””, thanë nga FFM-ja.

Ndryshe gjatë intervistës kryeministri Zaev edhe njëherë theksoi se edhe FFM sikur të gjitha federatat tjera të sporteve duhet ta adaptojnë statusin e federatës në përputhje me ligjin për sport.