Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti me rastin e vdekjes së diplomatit amerikan James W. Pardew, ka ngushëlluar familjen e të ndjerit dhe e ka përshkruar lartë figurën e tij.

Ahmeti në mesazhin e ngushëllimit shprehet se James W. Pardew ka qenë një personalitet që ka dhënë kontribut të madh në diplomacy dhe për një botë më të mirë.

“Shqiptarët dhe rajoni humbën një mik të madh, një figurë shumë të rëndësishme të diplomacisë ndërkombëtare. James W. Pardew, ishte një prej atyre personaliteteve që kontributin e tij e bënte pikërisht për një botë më të mirë. Shqiptarët por edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë edhe sot e kësaj dite vlerësojnë lartë misionin e tij të paqes që u arrit në vendin tonë me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, kështu shkruan në mesazhin e ngushëllimit kryetari i BDI-së Ahmeti.

Më tej, Ahmeti shkruan se do të vazhdojnë edhe më tej përkushtimin për paqen, demokracinë dhe të drejtat e barabarta.

“Ne jemi mirënjohës përjetësisht ndaj z. Pardew dhe do të vazhdojmë përkushtimin e tij për paqe, demokraci dhe të drejta të barabarta. Ngushëllime familjes së të ndjerit”, shprehet në fund të mesazhit të tij kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, me rastin e vdekjes së James W. Pardew.