Së paku tre njerëz humbën jetën dhe rreth 200 të tjerë u plagosën si pasojë e tornados që goditi të enjten pjesën juglindore të Republikës Çeke.

Lajmin e konfirmoi për televizionin publik çek zëdhënësja e shërbimeve të shpëtimit në rajonin e Moravisë Jugore, Micahela Botova.

Stuhia shkatërroi çatitë e disa ndërtesave në qytetet Brecllav dhe Hodonin, ndërsa shkuli pemë dhe përmbysi makina.

“Është një ferr i gjallë”, tha guvernatori rajonal i Moravisë Jugore, Jan Grolich, pasi vizitoi zonën.

Ekipet vendase të shpëtimit, bashkë me përforcime nga Austria dhe Sllovakia, janë duke ndihmuar të prekurit.

Një zëdhënëse lokale e shërbimeve të urgjencës, Hedvika Kropackova, tha se disa njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja.

Ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek, tha se situata është shumë serioze.

Pasi vizitoi rajonin e goditur, ai shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Tornadoja shkaktoi edhe ndërprerje të mëdha të trafikut dhe la mbi 100,000 shtëpi pa energji elektrike gjatë natës.

Tornadot janë të rralla në Evropë, krahasuar me SHBA-në, ku regjistrohen mesatarisht mbi 1,000 në vit.