Kryeministri, Zoran Zaev, është i bindur se ndryshimet e Ligjit për Shtetësi do të miratohen. Duke komentuar reagimin e “Të Majtës” ai tha se nuk e kupton veprimin e tyre për të bllokuar Ligjin për Shtetësi, por sipas tij nëse “E Majta” dhe VMRO-DPMNE-ja, vazhdojnë të shtyhen për të bllokuar institucionet, rezultatin do ta marrin në zgjedhje.

“Besoj se do të gjendet zgjidhje. Nuk e kuptoj logjikën e “Të Majtës”. Nëse shtyhen me VMRO-DPMNE-në se kush më tepër do të bllokojë ligje, rezultatet do t’i marrin në zgjedhje. Ligji për Shtetësinë është për të gjithë qytetarët tanë,kemi vërejtur nevojën dhe është pranuar nga të gjithë edhe nga opozita edhe nga pushteti. Kjo ishte zgjidhja që kemi gjetur në standardet evropiane, dhe tani të bllokohet un nuk e kuptoj arsyen për këto bllokime por ka mekanizma në përputhje me rregulloren e kuvendit. Duhet respektuar opozitën sado që është e vogël “E Majta”, por ligji do të miratohet nuk kam dilemë.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Ndryshe deputeti nga “E Majta”, Dimitar Apasiev, njoftoi se përmes fjalimeve maratonë do ta bllokojë pr/ligjin për shtetësi. Edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së me fjalime procedurale zvarritën punën e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri. Ndërkohë, opozita shqiptare ftoi deputetët që të mos e politizojnë propozim ligjin i cili do të zgjidh problemin e bashkëqytetarëve ë tyre të cilët nuk kanë shtetësi.