Serbia filloi prodhimin e vaksinës ruse Spuntik, duke u bërë vendi i parë europian jashtë Rusisë dhe Bjellorusisë që e hedh një hap të tillë.

Presidenti Aleksandar Vuçiç tha se ai dhe homologu rus, Vladimir Putin do ta shihnin përmes një lidhjeje video momentin e mbushjes së provëzave të para në Beograd.

“Brenda pak ditësh, do të kemi vaksinat serbe të cilat do të mund t’ua ofrojmë qytetarëve tanë, por edhe të tjerëve në mbarë botën”, tha Vuçiç , që shtoi se një lëvizje e ngjashme po planifikohet edhe për vaksinën kineze Sinopharm.

Katër milionë doza të Sputnik V pritet të prodhohen brenda 6 muajve të ardhshme. Prodhimi realizohet nga Instituti shtetëror për virologji, vaksina dhe serume “Torlak” në Beograd. Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Europian por mban lidhje të ngushta me Rusinë.

Atje përveç vaksinës Sputnik V, janë në përdorim edhe vaksinat tjera, ajo e Kinës “Sinopharm”, dhe ato perëndimore, AstraZeneca dhe Pfizer. Aktualisht, Agjencia Europiane e Barnave (EMA) nuk i ka miratuar vaksinat kineze dhe atë ruse.

Edhe Argjentina ka filluar prodhimin industrial të vaksinës Sputnik V të Rusisë. Sipas Fondit rus te Investimeve Direkte (RDIF), i cili është përgjegjës për tregtimin e vaksinës jashtë vendit, dozat Sputnik-V të prodhuara në Serbi dhe Argjentinë do të plotësojnë nevojat e brendshme të të dyja vendeve, para se të fillojnë eksportimin.