Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është përplasur me kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq, gjatë samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Kurti tha se në samitin e mbajtur në Tiranë të Shqipërisë, Bërnabiq “nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”.

“Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë, që në këtë mënyrë mban veten peng. Kosova e ka shpallur prej 13 vjetësh pavarësinë nga Serbia. Është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar po ashtu foli për iniciativën e “mini-Shengenit”, duke thënë se nisma të tilla ngecin për shkak se mungon njohja e Kosovës nga Serbia.

“Nuk ka më ‘mini-Shengen’, ka treg të përbashkët rajonal, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo nismë tashmë është një çështje që trajtohet nga Procesi i Berlinit, me emër tjetër e koordinata të tjera”, tha Kurti para gazetarëve në Tiranë.

Me Albin Kurtin “kemi pasur shkëmbim mendimesh gjatë takimit. Ka pasur disa provokime, disa ide të tij se si duhet të duket bashkëpunimi rajonal, por ai e ka marrë përgjigjen e duhur”, tha kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

E pyetur nga gazetarët se cilat kanë qenë idetë e Kurtit dhe cila ka qenë përgjigjja e saj, Bërnabiq tha se “nuk do të ishte e drejtë të flitej për atë që ka ndodhur prapa dyerve të mbyllura”.

“… por, ai insiston që gjithçka të nisë prej tij dhe kësaj administratës së re, në kuadër të ‘institucioneve të përkohshme’ në Prishtinë. Sipas kësaj [ideje], nuk mund të shkojë më kështu, porse tani do të kemi një format krejtësisht të ri [të bisedimeve], në bazë të të cilit ne jemi partnerë të barabartë. Unë kam thënë se kjo është e pamundur, sepse nuk jemi partnerë të barabartë, kemi dallim të madh. Ne jemi shtet sovran i pranuar ndërkombëtarisht, ata nuk janë. Por, është e rëndësishme që këto gjëra të lihen për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Bërnabiq.