Vetëm dy javë pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se do t’i “thyejë dhëmbët” kujtdo që tenton të “kafshojë”, kërcënimet i ka çuar më tej Sekretari i Këshillit të Sigurimit, Nikolay Patrushev.

Ai zbuloi se strategjia e rishikuar e sigurisë kombëtare do të thotë se tani Moska është e gatshme të përdorë forcën e vërtetë dhe jo vetëm sanksionet ekonomike.

“Versioni i ri i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare thekson dëshirën e Rusisë për të rritur parashikueshmërinë, besimin dhe sigurinë në sferën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ai vë në dukje legjitimitetin e masave simetrike dhe asimetrike për të shtypur dhe parandaluar veprime jomiqësore që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Rusisë.”

Sipas tij, forca do të tregohet pas dështimit të masave të veçanta ekonomike.

Ndërsa Rusia zakonisht përgjigjet në mënyrë simetrike ndaj lëvizjeve të kundërshtarëve të huaj, shpesh në një mënyrë të barabartë, Moska kohët e fundit ka treguar gatishmëri për masa asimetrike.

Sidoqoftë, pavarësisht kërcënimeve, Patrushev gjithashtu sqaroi se Rusia dhe kundërshtari i saj kryesor perëndimor, SH.B.A., janë të afta të arrijnë zgjidhje të ndërsjellta të pranueshme, megjithë tensionet e fundit.