Rumania do të dhurojë ose rishes vaksinat kundër COVID-19 dhe do të heqë dorë nga blerja e planifikuar e miliona dozave, njoftoi sot Ministria Rumune e Shëndetësisë, pasi vaksinimi i popullsisë është ngadalësuar sepse njerëzit nuk janë të interesuar.

“Qeveria ka miratuar një dekret emergjent që e lejon atë të rishes dozat e vaksinave në një vend të tretë”, tha Sekretarja e Shtetit, Monica Althamer.

Derisa të realizohet, vendi do të dërgojë ndihmë humanitare me një total prej 151,000 dozash për fqinjët e saj, Ukrainën dhe Serbinë, siç ajo ka dërguar tashmë në Moldavi.

Rumania, e cila ka marrë gati 15 milionë doza deri më tani, do të pezullojë blerjen e 4.4 milionë dozave të planifikuara për qershorin si pjesë e një procedure të përbashkët evropiane, i tha AFP një zyrtar tjetër i ministrisë, Andrei Baciu.

Qeveria liberale e vendit prej 19 milionësh i ka vendosur vetes qëllimin e vaksinimit të pesë milionë njerëzve përpara fillimit të qershorit. Deri më tani, megjithatë, vetëm 4.2 milionë rumunë kanë marrë dy doza të vaksinës, më pak se një e katërta e popullsisë.

Rumania u godit rëndë nga vala e tretë e pandemisë në fillim të pranverës dhe tani po përjeton një rënie të mprehtë të numrit të të infektuarve, rreth njëqind në ditë, si dhe një ulje të numrit të pacientëve të kujdesit intensiv me më pak se 200 sot , nga 1,500 kur goditi kriza shëndetësore.