Normaliteti kthehet në Maqedoni pas tetë muajve nga vendosja e masës që të mbahet maska në hapësira të hapura, ndërsa sot Qeveria dha dritë të gjelbër për propozimin e KSI-së për heqjen e kësaj mase.

Pas 215 ditëve dhe pas 193 mijë dënimeve të shqiptuara që kapin vlerën prej dy milionë euro, mbajtja e maskave në hapësira të hapura shkon në histori.

Disa qytetarë shprehen të kënaqur nga ky vendim dhe thonë se më lehtë mund të marrin frymë, ndërsa disa të tjerë vazhdojnë ta mbajnë maskën.

Krahas kësaj mase, nga sot u lejua edhe organizimi i dasmave në hapësira të hapura me maksimum 100 person, lejohet prania e publikut në ndeshje sportive që mbahen në hapësira të hapura deri në 30% të kapacitetit, hiqet ndalesa për grupim në hapësira publike, ndërsa në fuqi vazhdon të mbetet ora policore që fillon çdo mesnatë dhe përfundon në ora 04:00.