Këtë vit janë ndarë 24 mijë euro nga ana e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për pastrimin e lumenjve në territorin e Komunës së Tetovës. Kjo është bërë e ditur në seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Tetovës. Bëhet fjalë për lumenjtë në fshatin Poroj, Reçicë të Vogël dhe të Madhe si dhe Lumin Shkumbin, ku gjithsej të katër lumenjtë kanë një gjatësi prej 11 kilometrave. Sipas kryetarit të Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, pastrimi i lumenjve do të bëhet në vjeshtë. “Nga ana e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor janë ndarë mjetet, respektivisht është ndarë naftë në vlerë rreth 24 mijë euro për pastrimin e lumenjve në rajonin e Komunës së Tetovës. Çdo vit pastrimi i lumenjve bëhet gjatë vjeshtës dhe janë rreth 11 kilometër që duhet të pastrohen. Kjo bëhet çdo vit kur lejojnë kushtet klimatike dhe janë përfshirë lumenjtë në fshatin Poroj, Reçicë të Vogël dhe të Madhe si dhe Lumin Shkumbin”, deklaroi Memeti.

Në ndërkohë, vijon dukuria e hedhjes së mbeturinave në lumenj në territorin e Komunës së Tetovës. Nga Komuna e Tetovës pohojnë se kjo dukuri përsëritet në disa zona dhe pastrimi bëhet kur lejojnë kushtet klimatike. “Kjo është një dukuri që përsëritet çdo vit, sepse ka njerëz të pandërgjegjshëm që në vend se në kontejnerë, mbeturinat i hedhin në lumë. Sektori përkatës bën pastrimin kur ka nevojë, por është e vërtetë që në një pjesë të rrjedhës së lumit hidhen mbeturina të llojllojshme që është një dukuri mjaft negative”, thekson Memeti, sipas të cilit pastrimi i lumenjve do të bëhet në vjeshtë.

Ndryshe, mospastrimi i lumenjve në Tetovë shpeshherë ka qenë i kobshëm ngase rritja e nivelit të lumenjve ka shkaktuar vërshime nëpër disa lagje të Tetovës. Mbeturina të ndryshme hidhen nëpër shtretërit e lumenjve të Tetovës duke përfshirë edhe Lumin Shkumbin, në dalje të qytetit të Tetovës. Krahas efekteve negative ekologjike, po ashtu hedhja e mbeturinave dhe kanalizimit ka shkaktuar edhe ndotjen e ujit në këtë lumë. Njohës të këtyre rrethanave shpesh herë kanë kërkuar që Inspektorati i ambientit jetësor të jetë më shumë prezent në terren dhe të kryejë inspektime më të shpeshta, duke shqiptuar dënime ndaj atyre që ndotin Lumin Shkumbin. Kësisoj, Lumi Shkumbin edhe në këtë periudhë vazhdon të jetë i papastruar në shumë pjesë. Më kritike paraqitet gjendja në pjesën e poshtme të qytetit, respektivisht në dalje të Tetovës ku janë grumbulluar një pjesë e madhe e mbeturinave të ndryshme. I njëjti është përplot me rërë dhe gurrëz që vijnë nga pjesët më të larta dhe të njëjtat nuk janë larguar, gjegjësisht autoritetet lokale nuk kanë ndërmarrë masa për pastrimin e të njëjtit në këtë periudhë. Në ndërkohë, qytetarët kërkojnë që sa më shpejtë Lumi Shkumbin të pastrohet, ndërsa inspektorët të kryejnë më shumë kontrolle përgjatë lumit me qëllim që të mos hidhen mbeturina, por edhe ata që hedhin, të dënohen.