Nëpër shumë qytete të vendit stacionet e kontrolleve teknike përballen me mungesë të tabelave të regjistrimit për automjetet. MPB-ja kishte sqaruar se ka skaduar marrëveshja paraprake për përpunimin e tabelave, kurse ndaj procedurës së rregullt për furnizim është dorëzuar ankesë dhe se pritet vendimi I komisionit për ankesa. Para disa ditëve Ministri I Brendshëm Spasovski tha se ky problem është tejkaluar dhe se ka tabela të regjistrimit.

Kohëve të fundit nëpër shumë qytete të vendit qytetarët janë duke denoncuar për mungesën e tabelave të regjistrimit të veturave. Gjurmëve të lajmit, Klan M, përmes telefonit u përpoq të sigurojë më shumë informacione nga zyrtarë të Lidhjes Auto Moto të Maqedonisë. Nga atje ishin të prerë – tabela të regjistrimit nuk ka.

LAMM

“Nuk ka akoma zonjë, akoma nuk ka tabela. Sinqerisht nuk e dijmë kur do të ketë pasi ajo është nën kompetenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nëse do të na dorëzonin prej atje do të kishte, kur do të dorëzojnë nuk e dijmë, kjo varet prej tyre jo prej nesh.”

Nga ana tjetër Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski me këmbëngulje pohon se ka tabela të regjistrimit dhe se ky problem tashmë është tejkaluar.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Ka tabela të regjistrimit dhe merren për çdo ditë..

Ne u paraqitëm në Lidhjen Auto – Moto të Maqedonisë dhe atje na thanë se nuk ka?

-Ku jeni paraqitur?

Në LAMM?

-Duhet t’I pyesni në LAMM. Unë ju them se tabela të regjistrimit ka në MPB dhe qytetarët mbi baza të nevojave mund të kërkojnë dhe t’I tërheqin, pra ato arrijnë në kontinuitet. Kishim problem në aspekt të furnizimeve publike, të tilla janë rregulloret ligjore, megjithatë ai problem është tejkaluar, tabelat e regjistrimit arrijnë mbi baza ditore.”

Ndryshe tenderin për përpunimin e tabelave të regjistrimit e ka fituar firma “Kvantum” nga Shkupi. Marrëveshja është nënshkruar për tri muaj, kurse vlera kap shifrën prej 182 mijë eurove.

Por, më 03 Qershor, lidhur me mungesën e tabelave të regjistrimit kanë reaguar edhe nga Kompania “Rade Koncar”, të cilët paraprakisht kishin furnizuar MPB-në me tabela të regjistrimit. Nga kjo kompani kanë thënë se shkaqet e mungesës qëndrojnë në ndryshimet e shpeshta në dokumentacionet e tenderimit. Oferta e tyre ishte refuzuar si e papranueshme për shkak të gabimeve teknike në ofertë kurse kjo kompani është ankuar në Komisionin për ankesa për furnizimet publike.

Sidoqoftë qytetarët që kanë blerë automjete të reja ose që I riregjistrojnë makinat me tabela të huaja, tashmë një kohë të gjatë ankohen se nuk mund të marrin tabela të reja. Ky problem është vërrejtur edhe në disa stacione për kontroll teknik duke drejtuar gishtin se kjo është nën kompetenca të MPB-së.