Opozita maqedonase vazhdon të kundërshtojë pakon qeveritare për reforma në arsim. VMRO DPMNE nuk do të jetë bartëse e referendumit për të penguar këtë reformë por do të përkrah prindërit dhe nismën qytetare kundër reformave.

“Nisma qytetare ishte këtu dhe javën e kaluar kishin seancë komisioni ku biseduam në këtë temë. Procedura për të ardhur deri te referendumi veç ka filluar kështu që ata do ta parashtrojnë si nismë qytetare ndërsa ne si VMRO DPMNE gjithsesi se e përkrahim.”,- tha Kiril Pecakov nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Referendumi do të dështojë, e di vet VMRO

Mirëpo LSDM në pushtet konsideron opozita e kryesuar nga VMRO DPMNE do të dështojë edhe në këtë përpjekje. Sipas tyre, mungesa e përkrahjes qytetare në protestat që organizon opozita për këtë qëllim e dëshmon këtë.

“Fiaskoja e re në protestat e djeshme dëshmoi se për VMRO DPMNE-në nuk janë të rëndësishëm nxënësit, as arsimi por për ata me rëndësi është vetëm të frenojnë reformat në arsim. Në këtë drejtim janë edhe paralajmërimet për referendum për të cilin edhe vetë VMRO DPMNE është e vetëdijshme se s’do jetë i suksesshëm.”,- theksoi Zhaklina Llazarevska nga LSDM.

Nevojën për reforma në arsim, fillimisht në arsimin fillor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e bazon në një hulumtim të kryer gjatë viti 2020 me mbi 4 mijë mësimdhënës. Gjatë hartimit të konceptit të ri, gjithashtu janë marrë parasysh analizat nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare të cilat tregojnë se janë të nevojshme reforma urgjente në arsim, njofton propozuesi.