Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama akuzon krerët e shteteve të Bashkimit Evropian për bllokimin e pranimit të vendit të tij dhe Maqedonisë së Veriut. Në një artikull të publikuar në “Bild”, Rama shprehet se kjo vonesë bëhet për arsye të populizmit.

– Advertisements –

“BE ka thyer premtime dhe po çon një përçarje në popujt e Ballkanit me cinizëm politik. Më duket sikur jemi në librin “Duke pritur Godonë”. Ata vetëm flasin, por asgjë nuk ndodh”.

Si Kryeministër i Shqipërisë, Rama sqaron se vendi ynë nuk është gati të anëtarësohet në BE sot, as Maqedonia e Veriut por thekson se kjo nuk është arsye për të mos nisur Konferencën e Parë ndërqeveritare. Sipas tij Shqipëria i ka kryer reformat e kërkuara nga KE dhe Komisioni Evropian njohu angazhimin dhe arritjet e jashtëzakonshme në disa raste të vendit tonë, thekson Rama.

“Është një ambicie e dashur për shumë kohë nga kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe kështu t’u mundësojnë qytetarëve tanë të përfitojnë nga një treg i lirë dhe të marrin pjesë në këtë demokraci të madhe. Më lejoni të bëj të qartë diçka: si Kryeministër i Shqipërisë, unë e njoh plotësisht që ne nuk jemi gati të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian sot, as Maqedonia e Veriut ose pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor.

Kur Komisioni Evropian kërkoi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të zbatonin disa reforma përpara se të fillonin negociatat, ne e bëmë. Disa prej tyre, të tilla si reforma në drejtësi në Shqipëri, janë të pashembullta për një vend që nuk ka hyrë ende në procesin e negociatave. Por ne bëmë progres, dhe Komisioni Evropian njohu angazhimin tonë të plotë dhe arritjet tona të jashtëzakonshme në disa raste”.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë më shumë se disa probleme. Dhe pikërisht për këtë arsye që ne duam të përshpejtojmë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, në mënyrë që të kemi mjete në dorë për të zgjidhur pikërisht këto probleme”, vijon më tej artikulli.

Sipas Ramës BE kërkon nga liderët e Ballkanit Perëndimor të rrezikojnë të gjithë karrierën e tyre në procesin e integrimit evropian, por vetë nuk heqin aspak dorë nga komoditeti i tyre politik.

“Dhe të këmbëngulësh që krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të rrezikojnë të gjithë karrierën e tyre në procesin e integrimit evropian, por anasjelltas, vetë këta krerë shtetesh të BE nuk janë të gatshëm të heqin pak dorë nga komoditeti i tyre politik. Përgjigjen për këtë pyetje ia lë lexuesit”.