Mbi një muaj pasi u firmos marrëveshja, qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që i jep “dritën jeshile” nisjes së projektit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës nga konsorciumi pjesë e të cilit është kompania e politikanit Behgjet Pacolli, YDA Group dhe 2A Group.

Punimet për ndërtimin e aeroportit që pritet që të nisin së shpejti do të jenë në disa faza. Vendndodhja është në zonën e Akërnisë në Vlorë, 10 minuta larg aksit kombëtar Levan-Vlorë.

Koncesioni bazohet në formulën: ndërtim – operim – transferim, ku investimi prej afro 103.9 milionë Eurosh do të jetë privat, ndërsa buxheti i shtetit merr përsipër të garantojë të ardhurat minimale në 10 vitet e para nëse do të jenë më të ulta se 140 milionë Euro, nga 35 vjet që firma do të mbajë të drejtat e operimit.

VENDIMI I PLOTE

Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat, për dhënien me koncesion/PPP për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës (via)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë Mabco Constructions Sa, Yda Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi, 2A Group, sh.p.k., si koncesionari për dhënien me koncesion/PPP për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.