Ish-i dërguari i posaçëm i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka folur me kryeministrin Edi Rama, duke e pyetur për vendimin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj disa individëve në Shqipëri duke iu ndaluar atyre hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Për kryeministrin Edi Rama ky është një tregues se qeveria amerikane do të vijojë të mbështesë implementimin e reformës në drejtësi, e cila sipas tij ka mbërritur në një pikë që nuk ka më kthim pas.

“Dua të them që nga njëra anë është shumë e trishtueshme të shohësh këtë realitet, por nga ana tjetër është një sinjal i qartë se përpjekjet në vijim të qeverisë amerikane për të çuar përpara reformën në drejtësi dhe transformimin e sistemit të drejtësisë ka arritur në një pikë që nuk ka më kthim pas.

Kjo në një farë mënyrë nënkupton nisjen e fundit të tranzicionit dhe fundin e nocionit të pandëshkueshmërisë. Pra askush nuk është mbi ligjin”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.