Në përpjekje për ofrimin e kushteve më të mira dhe më të shpejta, Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë përuroi laboratorin molekular, ku do të shërbehen qytetarët e 5 komunave të rajonit verilindor planor. Në të do të kryhen shërbime efikase dhe të shpejta të analizave të ndryshme e sidomos PCR testet dhe certifikatat do të vlejnë për të gjitha shtetet evropiane.

“Procedura do të rrjedh si deri më tani përmes “Termini im”, i cili nëse jepet prej te mjeku amë apo për shkaqe epidemiologjike do të jetë falas. Ekziston edhe mundësia e testimit privat, për të kuptuar se a kanë anti-trupa apo a janë pozitiv me Covid-19. Çmimet janë shumë të kapshme. Ata të cilët udhëtojnë jashtë shtetit dhe duan certifikata në gjuhën angleze, kushton 2.200 denarë, kurse rezultati merret të njëjtën ditë. Kemi edhe një test PCR, i cili kryhet për një orë dhe kushton 3000 den.. Mund të testohen të gjithë ata që nuk kanë udhëzim nga mjeku, pra edhe bashkatdhetarët tanë që vijnë në pushim, prandaj çmimet janë të njëjta si për shtetasit tanë po ashtu edhe për qytetarët nga shtetet tjera dhe certifikatat janë valide në të gjithë Europën.”,- deklaroi drejtori i Qendrës për Shëndet Publik – Kumanovë, Arif Latifi.

“Deri tash kishim vështirësi të mëdha rreth sigurimit të termineve, kurse nga tani këtu bëhen kontrollet e analizat dhe të njëjtën ditë jepen edhe rezultatet. Në këtë mënyrë strishot merren në kuadër të “Termini im” dhe për udhëtim jashtë vendit.”,- tha dr. Dane Milloshevski nga Qendra për Shëndet Publik – Kumanovë.

Ky laborator molekular është i mirëseardhur në vigjilje të pushimeve verore. Deri tani për teste të këtilla duhej të pritej me javë të tëra, ose të bëheshin privatisht në spitalet private në Shkup.