Lidhja e politikës me oligarkët duket të jete shumë e qartë, deputeti i BDI-së Ismail Jahoski djali i të cilit ka kompaninë Pucko Petrol nga Janari i vitit 2020 me tendere për furnizime me naftë dhe lëndë djegëse ka përfituar mbi 31 Milion Euro, nga institucione të ndryshme qendrore dhe lokale, ndër ta mbi 2 milion EURO vetëm nga komunat që qeverisen nga Bashkimi Demokratik për integrim.

P.sh. vetëm në komunën e Tetovë Pucko Petrol ka marrë mbi 22 milion denarë, kurse në komunën e Çairit mbi 15 milion denarë.

Këto të dhëna janë lehtë të verifikueshme ne ueb faqen e byrosë për furnizime publike, dhe ne sot ju kemi sjellë kopje të kontratave të kësaj kompanie me të gjitha institucionet.

Pyesim publikisht udhëheqësit e këtyre institucioneve dhe deputetin Jahoski se cila është “magjia” që përdor për të fituar po thuajse çdo tender për furnizim me naftë dhe lëndë djegëse?

Fitimi i të gjithë këtyre tenderëve nga Ismail Jahoski, tek institucionet qendrore dhe lokale konfirmon edhe njëherë dyshimet e thella mbi rezultatin zgjedhor të 15 korrikut, në veçanti në zonën pesë për blerje të votës, prandaj nuk është e rastit që Republika e Maqedonisë së Veriut konsiderohet si shtet me regjim hibrid dhe me nivele rekorde të korrupsionit, tashmë jo vetëm nga opozita por edhe nga Transparency International dhe Economist.

Prandaj publikisht u bëjmë thirrje Komisionit Shtetërorë për luftë kundër korrupsionit si dhe prokurorisë që të merren shumë seriozisht me këtë rast për të shpjeguar opinionit se si është e mundur që një kompani e lidhur me një deputet të një partie politike, në këtë rast BDI-së, të fitoj kaq shumë tenderë.