Shkruan: Xhelal Neziri

Çdo anketë zakonisht zgjon interesin e opinionit publik vetëm në pjesën ku matet rejtingu i partive dhe i figurave të ndryshme të skenës politike. Kjo pjesë e anketave prodhon qindra tituj me dozë tifozllëku se filani apo fisteku kanë mbështetje më të madhe nga qytetarët. Këtu edhe përfundon debati, pa mos hyrë në pjesë tjera “të parëndësishme” të anketave.

Kështu ishte edhe rasti me hulumtimin e fundit të opinionit publik nga anan e IRI-t. Një varg temash me interes të veçantë për qytetarin nuk u trajtuan fare, apo nuk morën trajtimin e duhur.

Andaj, në mënyrë takstative do të numëroj rezultatet e studimit pikërisht në ato tema “të parëndësishme”, si ekonomia, pandemia, qeverisja lokale, shteti ligjor, lëvizjet shoqërore, besimi në institucione, integrimi në BE dhe mbështetja për NATO-n, perceptimi i shteteve si miqësore dhe mediat.

EKONOMIA

Është rritur pesimizmi se ekonomia do të përmirësohet në periudhën që vjen:

Për herë të parë që nga 2009, hulumtimi tregon se 44% e të anketuarave thonë se “ekonomia do të përkeqësohet”, që është për 22% më e lartë se vitin e kaluar.
Për herë të parë vetëm 7% besojnë se kualiteti i jetës do t’i përmirësohet në periudhën që vjen, ndërkohë vitin e kaluar ishte 18%.
Për herë të parë 23% e të anketuarve thonë se të ardhurat mujore familjare nuk mjaftojnë fare për përmbushjen e nevojave, që është për 5% më e lartë se në vitin 2020.
Për herë të parë vetëm 3% e të anketuarve kanë thënë se gjendja financiare në amvisërinë e tyre është “shumë e mirë”, ndërsa 20% – “shumë e keqe”. Në vitin 2020 vetëm 11% e të anketuarve kanë thënë se gjendja financiare e amvisërive të tyre është “shumë e keqe”, kurse 5% kanë thënë se është “shumë e mirë”.
Vetëm 1% e të anketuarve kanë thënë se gjendja ekonomike në familjet e tyre është “shumë më e mirë se vitin e kaluar”.

PANDEMIA

63% e të anketuarve janë shprehur të pakënaqur me mënyrën se si qeveria e ka menaxhuar krizën e COVID-19. Madje, 54% vlerësojnë se ai menaxhim ka qenë më i keq në krahasim me vendet e rajonit.
Si shkak kryesor për shpërndarjen e virusit COVID-19 kanë thënë se është papërgjegjshmëria e njerëzve (70%)
Gjysma e të anketuarve kanë deklaruar se do ta marrin vaksinën anti-Covid (60%), ndërkohë që 32% kanë thënë se do të refuzojnë imunizimin.
Pjesa më e madhe (57%) kanë thënë se masat e qeverisë për zbutjen e covid-krizës kanë përfshirë pjesën më të madhe të personave të prekur.
Kur është fjala te regjistrimi i popullsisë i caktuar për në shtator të këtij viti, opinioni është i ndarë: 49% mendojnë se duhet të shtyhet edhe një herë shkaku i pandemisë, kurse 44% mendojnë se duhet të mbahet.
Pjesa më e madhe e prindërve (67%) janë shprehur se mësimi online gjatë pandemisë ka qenë më i keq në krahasim me një vit më parë.

QEVERISJA LOKALE

Pjesa më e madhe e të anketuarve nuk janë të kënaqur me punën e kryetarëve aktualë të komunave: 53% thonë se nuk duhet të rizgjidhen.
Mbi 90% e qytetarëve e dinë emrin e kryetarit të komunës, ndërkohë që 49% nuk dinë asnjë emër të këshilltarëve komunalë.
Pushteti lokal vlerësohet se ka ndikim shumë më të ulët kualitetin e jetës (22%) sesa ai qendror (65%).

SHTETI LIGJOR DHE LËVIZJET SHOQËRORE

Përfshirja e të rinjve në vendimmarrje është e “shumë e rëndësishme” për 64% të respondentëve, ndërsa e grave – 55%.
Besimi në demokraci ka shënuar rënie – nëse në vitin 2020 61% kanë thënë se demokracia është sistem më i mirë qeverisës, tani këtë qëndrim e ndajnë 51% të të anketuarve.
Vetëm 12% e të anketuarve besojnë se në vend funksionon shteti ligjor, një përqindje më e ulët që nga viti 2009.
Pjesa më e madhe e të anketuarve, apo 49% e tyre, kanë thënë se korrupsioni nuk ka pasur ndikim negativ te ato apo ai ndikim ka qenë i vogël. Nga ana tjetër, 43% kanë thënë se korrupsioni ka ndikim negativ.
Në bazë të rezultateve, shihet rënie në përvojat e përfshirjes së qytetarëve në korrupsion.
Ka rënë edhe numri i atyre që kanë emigruar gjatë vitit: nëse në 2020 16% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë një të afër që ka emigruar, në këtë anketë vetëm 7% janë përgjigjur me “po”.
Bie optimizmi se në vend ka perspektivë për të rinjtë: 79% e të anketuarve kanë thënë se nuk ka perspektivë, që është për 2% më lartë se vitin e kaluar.

BESIMI NË INSTITUCIONE

Bankat kanë besim më të madh në opinion, që më pas të radhiten policia, opozita, institucionet publike shëndetësore, komunat, institucionet arsimore, organizatat joqeveritare, qeveria, media, KSHZ-j-, që më në fund të listës të renditen Komisioni Antikorrupsion, gjykatat, prokuroria, parlamenti, partitë politike.
Bie edhe përqindja e atyre që besojnë se qeveria është transparente dhe llogaridhënëse: nëse në vitin 2018 54% kanë thënë se qeveria është e hapur, në vitin 2020 kjo përqindje bie në 43%, ndërsa në anketën e fundit në 34%.

INTEGRIMI NË BE DHE MBËSHTETJA PËR NATO

Integrimin në BE e mbështesin 79% e të anketuarve, një mbështetje më e ulët për 15% në krahasim me vitin 2008.
Vetëm 32% e të anketuarve kanë thënë se vendi tani është më afër integrimit në BE, ndërkohë që në vitin 2018 të njëjtin mendim e kanë ndarë 57%.
Shumica e respondentëve (66%) kanë thënë se nuk duhet të pranohet asnjë kërkesë e Bullgarisë si parakusht për integrim në BE.
Megjithatë, pjesa më e madhe janë optimistë se brenda 10 viteve vendi do të bëhet anëtare e këtij Unioni.
Ka rënë edhe mbështetja për NATO-n. Në 2008 89% e kanë mbështetur anëtarësimin në Aleancë, 77% në 2018, 76% në 2020 dhe 71% në anketën e fundit.
Në pyetjen se partneriteti me cilat shtete është më i mirë për interesat e Maqedonisë, në vend të parë është Gjermania me 83%, i dyti me 80% është Bashkimi Evropian, Turqia e treta me 79%, SHBA e katërta me 71%, Kina e pesta me 59%, Rusia e gjashte me 58%, Mbretëria e Bashkuar e shtata me 57% dhe në fund Franca me 56%. Ndryshime më të theksuara ka te perceptimi i Rusisë si partner strategjik, ku ka rënie, dhe i Kinës – ku ka rritje të përqindjes.
Në pyetjen se cili shtet e ndihmon më shumë Maqedoninë e Veriut, 21% kanë thënë BE-ja, që paraqet një rënie të theksuar në krahasim me 2018-ën, kur ka qenë 27%. Rënie në përqindjen e perceptimit si ndihmues të MV ka edhe për SHBA-në, e cila në vitin 2018 ka qenë 16%, kurse tash është 11%. Rënie më të vogël ka Turqia, Gjermania dhe Rusia, ndërsa e vetmja që ka rritje është Kina, e cila në vitin 2018 ka qenë 1% ndërkohë që tani ka 3%.

MEDIAT

Në këtë sferë vazhdon rënia e ngadaltë e televizioneve, ndërkohë që rritet poashtu ngadalë relevanca e portaleve.