Regjistrimi i parametrave fiziologjikë për të marrë diagnoza të hershme ose ruajtja e muzikës së dasmës në veshjen e dasmës, këto janë disa nga mundësitë që hapen me prodhimin e fijeve të para dixhitale.

Të zhvilluara nga studiuesit në Massachusetts Institute of Technology (MIT) dhe të përshkruara në revistën shkencore “Nature Communications”, ato mund të programohen për të matur parametrat e të gjitha llojeve dhe për të ruajtur informacionin.

Prej disa kohësh, bota e veshjeve ka eksploruar potencialin e ofruar nga teknologjitë portative, mikroqarqe jashtëzakonisht të holla dhe të lehta dhe sensorë që mund të integrohen në veshje dhe ‘zgjerojnë’ funksionet tradicionale të tyre.

Fijet elektronike të përdorura deri më tani brenda rrobave kanë qenë fibra të afta për të bartur të dhëna në formë analoge, kurse zgjidhja e re e propozuar nga studiuesit amerikanë është mbledhja, transportimi dhe përpunimi i të dhënave dixhitale në formën e zerove dhe njëshave.

“Kjo është hera e parë që një strukturë është marrë me aftësinë për të arkivuar dhe përpunuar të dhënat në mënyrë dixhitale, gjë që shton një dimension të ri të përmbajtjes në pëlhura dhe bën të mundur programimin fjalë për fjalë të tyre”, deklaroi Yoel Fink, koordinator i studimit.

Fibra e re u krijua duke përfshirë qindra mikroqarqe dixhitalë të lidhur me njëri-tjetrin brenda fijeve sintetike, që mund të programohen individualisht dhe të përdoren për të ruajtur informacione të të gjitha llojeve, përfshirë skedarët audio ose video.