Mesfushori brazilian Paulinho ka thënë se është i gatshëm t’i bashkohet Barcelonës për herë të dytë pasi tani është lojtar i lirë.

Sergio Aguero, Eric Garcia dhe Memphis Depay i janë bashkuar Barcelonës tashmë si lojtarë të lirë, pasi marrëveshjet e tyre me Manchester Cityn dhe Lyonin mbaruan këtë muaj.

Paulinho mund të jetë një tjetër përforcim për trajnerin Ronald Koeman që mund të arrihet pa e dhënë asnjë qindarkë. Paulinho, i cili i bëri 49 paraqitje për skuadrën e Barçës që e fitoi La Ligën dhe Kupën e Mbretit në sezonin 2017/18, ka thënë për “Mundo Deportivo”: “Barça është ekip që e njoh mirë”.

“E kam kaluar një vit të paharrueshëm atje, në klub dhe në qytet, duke e fituar ligën dhe Kupën e Mbretit. Sikur ta kisha një rast tjetër, do të kthehesha me kënaqësi. Për mua paraja nuk është problem, as kohëzgjatje e marrëveshjes, kurrë nuk ka qenë, aq më pak kur ekipi që të thërret është Barça”, ka deklaruar Paulinho.