Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përmbylli vizitën e tij 2-ditore në Kosovë.

Ambasadori Lajçak vizitoi Kosovën si pjesë e përgatitjeve të nevojshme për takimin e nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë të planifikuar për në fund të këtij muaji.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, pas vizitës në Kosovë do të zhvillojë një të tillë gjatë kësaj jave edhe Beograd për të vazhduar përgatitjet për takimin e nivelit të lartë.

Ai dje ka përmbyllur vizitën e tij dyditore në Kosovë ku erdhi për përgatitjeve të nevojshme për takimin e nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi të planifikuar për në fund të këtij muaji, njofton Klan Kosova.

Ky ishte fokusi i konsultimeve të tij me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin e Parë për Integrimin Evropian, Zhvillimin dhe Dialogun Bislimi, zëvendëskryeministren e Dytë, Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Gërvalla.

“Vizita ime në Kosovë ishte një vizitë produktive me qëllimin kryesor për të siguruar përgatitjen sa më të mirë të takimit të liderëve në Bruksel më vonë gjatë qershorit”, tha dje Lajçak.

Në Kosovë, Ambasadorit Lajçak iu bashkua Matthew A. Palmer, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun dhe Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Sot jam këtu me mikun tim të mirë Matt Palmer, gjë që është një shenjë e bashkëpunimit tonë të ngushtë transatlantik”, përfundoi Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së.

Lajçak gjithashtu u takua me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe krerë të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.