I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka deklaruar se është e mundur që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje gjatë këtij viti.

Në një intervistë për mediumin serb ‘Blic’, Palmer ka inkurajuar palët që të përfshihen aktivisht në dialog dhe të diskutojnë të gjitha çështjet mes dy vendeve.

“Kurti dhe Vuçiq janë në pozicione, të cilat u mundësojnë që të përfshihen në dialog, të identifikojnë çështjet për të cilat mund të arrihet marrëveshje dhe ta çojnë të gjithë procesin përpara”, ka thënë Palmer.

Ai deklaroi se Kosova nuk është e gatshme që të negociojë për çështjen e ndryshimit të kufijve dhe territoreve.

“Mendoj se dy vendet kanë çështje shumë më produktive në të cilat mund të angazhohen aktualisht, siç është çështja e personave të zhdukur”, citohet Palmer në këtë intervistë dhënë mediumit serb, Blic.

Ai po ashtu tha se të dy palët duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfshirë Asociacionin.

Gjatë ditës së djeshme, Palmer së bashku me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, për të folur për rinisjen e dialogut në Bruksel.

Kujtojmë se në vizitën e fundit në Kosovë, Palmer deklaroi se qëllimi kryesor i marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë.