Në fillim të sezonit të verës, vetëm dy plazhe nga më shumë se 40 që janë në rivierën e Ohrit kanë roje shpëtimi. Ekipet e shpëtimit thonë se gjatë një vere, ka rreth 30 ndërhyrje shpëtimi dhe më shumë se 2,000 ndërhyrje për ofrimin e ndihmës së shpejtë.

“Unë deri tani kam pasur dy-tre ndërhyrje. Njëri rast ishte kur një person në plazhin Gradishte në moshën 23 vjeçare, kishte humbur vetëbesimin dhe sigurinë, ndoshta për shkak të lodhjes, ndoshta për shkak të alkoolit dhe filloi të mbytet. Ne menjëherë vepruam dhe e nxorëm jashtë dhe imagjinoni, duhej ta bartnim 500 metra në krahë që të vijë ambulanca dhe ta pranojë”, u shpreh Martin Leçoski- roje shpëtimi.

Nga Kryqi i Kuq thonë se për sigurinë e plazheve nuk mjafton të ketë vetëm roje shpëtimi, por ato duhet të jenë të rrethuara dhe të shënjuara si duhet dhe të ketë pajisje për ndihmën e parë. Në ato plazhe që nuk janë të sigurta, duhet të vendosen shenja të përshtatshme, që njerëzit të njëjtën të mund ta shfrytëzojnë me përgjegjësinë e tyre.

“Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë moment, dhe të cilën do e diskutojmë me vetëqeverisjen lokale, janë plazhet më tërheqëse, ku u çmontuan platformat, ato plazhe tash nga fillimi janë të pasigurta, sepse shufrat metalike që kanë qenë, nuk e dimë se si janë hequr, nëse janë hequr plotësisht. Nevojitet një kontroll i plotë dhe i hollësishëm i të gjitha atyre plazheve, ku u hoqën platformat, në mënyrë që ato plazhe të lëshohen në përdorim”, deklaroi Sasho Toçkov, Kryqi i Kuq Ohër .

Nga komuna para pak kohësh njoftuan se pasi të hiqen objektet ilegale, plazhet do të rregullohen në mënyrë adekuate. Në Strugë deri më tani vetëm dy plazhe kanë shfaqur interes për roje shpëtimi. Ky numër pritet të rritet pas 1 korrikut.