Superliga Europiani për klube është ende gjallë dhe konfirmimin e jep Joan Laporta, presidenti i Barcelonës, njërës prej skuadrave të cilësuara “rebele” nga ana e UEFA-s.

Në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle, numri një i klubit katalanas ka analizuar situatën dhe ecurinë e betejës me UEFA-n, teksa ka akuzuar këtë të fundit se ka kërcënuar disa klube që të tërhiqen përkohësisht.

“Superliga është ende gjallë dhe konkrete. Një gjikatë i ka bërë të qartë UEFA-s se nuk mund të ndërmarrë sanksione kundër nesh, megjithatë ajo vazhdon të kërcënojë e bëjë presion. Vetëm dy klube angleze kanë braktisur projektin me vullnetin e tyre të lirë, ndërsa të tjerët janë tërhequr pas presionit të UEFA-s. Inter, Milan e Atletico Madrid janë kërcënuar me përjashtim nga Champions-i, ndaj janë tërhequr, por ne duam të jemi padronë të fatit tonë dhe askush nuk mund të na e mohojë këtë të drejtë”, u shpreh Laporta.

Presidenti i Barcelonës tha se ideja e krijimit të Superligës, është për ta bërë futbollin më tërheqës për të rinjtë dhe njëkohësisht hodhi poshtë zërat se ky kompeticion do të penalizojë ligat kombëtare.

“Superliga synon ta bëjë futbollin më tërheqës për të rinjtë, gjë që UEFA nuk e ka bërë gjithë këto vite, pasi është mjaftuar vetëm me demagogji boshe. Është thënë se vret ligat kombëtare, por nuk është e vërtetë, pasi në projekt është parashikuar një fond solidariteti prej 400 milionë eurosh, ndërsa UEFA tani jep vetëm 180 milionë euro. Nuk po bëjmë asgjë të re në Europë, pasi kemi shembullin e Euro League-s në basketboll. Të rinjtë duan një futboll ndryshe dhe më tërheqës”, tha numri një i klubit katalan.