Në kohën kur disa non-papera kanë dërmuar rajonin, duke u propozuar në to ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në baza etnike, një non-paper i ri është dorëzuar në selinë e Bashkimit Evropian, shkruan gazeta e Bosnjës “Oslobodjenje” të mërkurën.

Ky non-paper për autorë ka Austrinë dhe anëtarët e Grupit të Vishegradit, ku bëjnë pjesë Hungaria, Polonia, Çekia e Sllovakia dhe është pozitiv krahasuar me të tjerët që propozonin ndryshim kufijsh.

Në non-paperin e këtyre pesë shteteve, i cili sipas ministres së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Bisera Turkoviq, vërtetë ekziston, kërkohet që qytetarët dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në biseda zyrtare për të ardhmen e përbashkët në BE.

BE-së, sipas asaj që është shkruar në non-paper, i kërkohet të ofrojë përkrahje më të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Po, zyrtarisht jemi të njoftuar dhe unë jam e kënaqur me këtë qasje. Bosnjë-Hercegovina, sikurse edhe vendet e tjera në rajon, ka perspektivë të qartë të anëtarësimit. Ne kemi qenë gjithmonë pjesë thelbësore e Evropës, tani jemi në procesin e arritjes së standardeve evropiane për funksionimin dhe forcimin e shtetit”, ka thënë ndër të tjera ministrja e Jashtme e Bosnjës, Turkoviq.

Në fakt, dy non-paperat e mëhershëm, u raportua se vijnë nga, përkatësisht Sllovenia dhe Gjermania e Franca dhe në to u propozuan ndryshime kufijsh me idenë se vetëm kështu do të arrihet paqja në Ballkan. Këto vende mohuan se qëndrojnë pas këtyre dokumenteve jozyrtare.